Kanalizimi në lagjen "Bylis" në Ballsh


Mungesa e fondeve në bashkinë e Ballshit ka bërë që disa projekte prej shumë vitesh të mos gjejnë zbatim. Kjo ka shkaktuar probleme jo vetëm në infrastrukturën rrugore por edhe në kanalizimet e ujërave të zeza që janë bërë shqetësime shumë vjeçare në disa lagje të qytetit.


Konkretisht në lagjen Bylis, një zonë ku banojnë rreth 200 familje, të cilët janë vendosur mbi nivelin e ku shtrihet qyteti, ujërat e zeza zbresin në një kanal rreth 500 metra të hapur nga vetë banorët, të cilat pasi përshkojnë dhjetëra banesa dhe dyqane shkarkohen tek një përrua.


Era e keqe në kohë të ndryshme por më e theksuar në ditë me diell bën që ajo të shpërndahet jo vetëm në këtë lagje por edhe në qytetin e Ballshit. Jo vetëm kaq. Banorët  janë të frikësuar pasi se së bashku me këtë kanal  është future edhe tubacioni i ujit të pijshëm, tubacione këto të vjetruar ku sipas banorëve edhe mund të çahen në çdo kohë. Ata shprehen se në shumë raste këto ujëra janë bashkuar edhe me ujërat e zeza, të cilat kanë shkaktuar probleme shëndetësore te banorët.


Kryetari i bashkisë Ballsh, Ilir Çela është shprehur se lagjja Bylis vuan në këtë drejtim për shumë vitesh. Termi kanali i ujërave të zeza nuk ekziston pasi ato për hir të së vërtetës janë mbi sipërfaqe. Sipas tij ka një projekt, i cili në pamundësi që ka bashkia Ballsh nuk po gjen dot financim. Kjo është edhe për shkak se bashkia e Ballshit është debitor ndaj të tretëve me një vlerë prej 240 milion lekë të trashëguar ndër vite. /K.Thana/