Laureta Rryçi



Seanca e radhës për bandën e Durrësit vijoi dje me debate të ashpra mes avokatëve të të pandehurve dhe mes avokatëve me prokurorin e çështjes. Burime nga persona që ishin prezent në sallë sqaruan dje për gazetën “Albania” se debatet kanë qenë aq të ashpra, sa seanca është ndërprerë për më shumë se 15 minuta, derisa janë qetësuar palët. Më tej burime jozyrtare thanë se forcat speciale që merren me shoqërimin e të penduarit kanë bërë disa kontrolle në Gjykatë pasi kishin sinjalizime se i kanosej jeta Adriatik Colit. Të njëjtat burime thanë se më tej se seanca ka vijuar me dëshminë e Colit, i cili dje ka preferuar të tregojë si e ngritën pritë Lulzim Berishës për ta ekzekutuar. Për shkak të një vendimi gjykate, seancat gjyqësore të këtij procesi po zhvillohen me dyer të mbyllura, pa praninë e medias.

Seanca

I penduari Adriatik Coli ka vijuar dëshminë e tij dje me një nga atentatet që përgatitën për Lulzim Berishën. Sipas dëshmisë së Colit, kur bandat u përçanë, Klodian Saliu mori drejtimin e organizatës në përbërje të së cilës ishin Endrit Dokle, Adriatik Coli dhe disa persona të tjerë. Më datë 26.02.2005 vritet Klodian Saliu. Në lidhje me vrasjen Saliut, nga ana e Endrit Dokles dhe Dritan Colit, të cilët morën drejtimin e kësaj organizate, dyshohej se e kishte kryer i pandehuri Lulzim Berisha në bashkëpunim më të pandehurit Indrit Taullai dhe Plaurent Dervishaj. “Për këtë, më datë 12.10.2005, i pandehuri Endrit Dokle, në bashkëpunim me të pandehurit Dritan (Adriatik) Coli, Kujtim Buna e Serdjan Sulejmani kanë vrarë me armë zjarri Avni Gashin për të cilin dyshonin se ka ndjekur Saliun natën e vrasjes për llogari të të pandehurit Lulzim Berisha”, - ka thënë dje Coli në dëshminë e tij. Më tej në seancë është thënë se në vijim të veprimtarisë kriminale të pandehurit Endrit Dokle dhe vetë ai morën përsipër të rekrutonin si anëtarë të organizatës së tyre të pandehurit Altin Olloni, Alban Neli, Elvin Hoxhosmani, Selman Heti dhe Spartak Kalthi për të bërë të mundur vrasjen e të pandehurit Lulzim Berisha.

Tentativa

Sipas dëshmisë së Colit, për të arritur këtë qëllim, i pandehuri Endrit Dokle përgatiti planin kriminal duke përdorur vrasës me pagesë, të cilët i rekrutoi në organizatë. Rekrutimi i këtyre shtetasve u bë me ndihmën e anëtarit të organizatës, të pandehurit Altin Olloni, i cili gjeti si persona të përshtatshëm të pandehurit Alban Neli e Elvis Hoxhosmani nga Burreli kundrejt një shpërblimi prej njëqind mijë eurosh. Duke marrë në konsideratë faktin që të pandehurit Alban Neli e Elvis Hoxhosmani nuk i njihnin rrugët e Durrësit, ata kërkuan një person që t’i ndihmonte duke drejtuar mjetin. Sipas të penduarit, për të rekrutuar këtë person, ai, bashkë me Doklen, bënë një plan me të pandehurin Kristian Begu. Ky i fundit fillimisht pranoi që ta drejtonte vetë mjetin e krimit, por duke marrë parasysh që ai njihej në qytetin e Durrësit, i pandehuri Endrit Dokle i kërkoi që të gjente një person tjetër kundrejt shpërblimit prej njëzet mijë eurosh që të drejtonte mjetin e krimit. Me gjithë planin e organizuar sërish atentati ka dështuar për shkak se një polic ka ndaluar rastësisht për kontroll të zakonshëm makinën me të cilën do të bëhej krimi dhe në bagazhin e saj janë gjetur armë.





Të pandehurit

Lulzim Berisha

Plaurent Dervishaj

Indrit Taullai

Endrit Dokle

Kujtim Buna

Altin Olloni

Elvin Hoxhosmani

Alban Neli

Selman Heti

Spartak Kalthi

Altin Nikolla

Kristian Begu

Bujar Gashi

Dritan (Adriatik) Coli

Ahmet Ajetis

Osman Karpuzi

Sardian Sulejman





16 Tetor 2009