Real Madrid vazhdon të jetë para Barcelonës përsa i përket titujve të fituar edhe pse në vitet e fundit ekipi blaugrana ka pasur sukses të madh. “Los Blancos” kanë 73 tituj, ndërsa katalanasit, pas fitores së të dielës në Botërorin e Klubeve, kanë arritur 72. Përsa i përket titujve në Spanjë, dy gjigandët spanjollë janë barazim me nga 58 tituj të fituar. Madrilenët kanë më shumë kampionate (31 me 21), ndërsa katalanasit kanë më shumë Kupa Mbreti (25 me 18). Avantazhi i Real Madrid është në kompeticionet ndërkombëtare (15 me 14). Gjithashtu, edhe mes futbollistëve të këtyre ekipeve ka një rivalitet të ngjashëm. Xavi ka fituar gjithsej 21 tituj me Barcelonën dhe është vetëm një trofe larg arritjes së një legjende të Real Madrid, spanjollit Paco Gento, i cili është futbollisti me më shumë trofe në historinë e futbollit spanjoll. Gento ka qenë pjesë e Real Madridit të madh të Di Stefanos dhe Pushkas. Ai ka fituar 6 Liga Kampionesh, më shumë se çdo futbollist tjetër në historinë e futbollit botëror.