Integrimi i plotë i Shqipërisë tashmë ka një datë konkrete kur mund të përfundojë, viti 2014. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, deklaroi dje nga Konferenca e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, se i është konfirmuar nga homologu i tij çek, Karel Schwarcenberg, se në Samitin e Sarajevës të vitit 2014, Ballkani Perëndimor do të integrohet në BE. Ministri i Jashtëm u shpreh se në lidhje me këtë premtim, është përdorur edhe një metaforë, pikërisht nisja e Luftës së Parë Botërore në Sarajevë të Bosnjës.


“Schwarcenberg theksoi me të drejtë se Shqipëria, një vend i cili pritet të bëhet anëtar në prill, nuk ka pse të presë më, por duhet të vazhdojë më tej. Dhe kjo shprehje publike e mbështetje e aplikimit të Shqipërisë në fakt ka qenë lajtmotivi i kësaj jave, jo vetëm në takimet e mëparshme që kam pasur jashtë konferencës së Mynihut, por dhe këtu në Mynih. Së dyti, për herë të parë publikisht, ndonëse në formën e një metafore diplomatike, kemi pasur një datë të mundshme të përmbylljes së procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe përsëri nga ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, zoti Schwarcenberg, i cili theksoi se 100 vjet pas fillimit të konfliktit dhe luftërave botërore në Sarajevë në 1914, i takon që në 2014 ky proces të përfundojë aty ku nisi, në Sarajevë, me integrimin e plotë të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, - deklaroi nga Mynihu Basha. Një tjetër çështje që ministri shqiptar preku, ishte edhe lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë në hapësirën “Shengen”. Ai tha se viti 2009 është vendimtar për këtë proces. “Jam shumë optimist siç e kam përsëritur shpeshherë, se viti 2009 do të jetë vendimtar për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Është folur gjerësisht për liberalizimin e vizave. Është konsideruar se liberalizimi i vizave është vendimtar për suksesin dhe për konsolidimin e procesit të integrimit evropian të këtyre vendeve”, - tha më tej Basha.


Takimet


Konferenca e Sigurisë në Mynih u mbajt në datat 6 deri 8 shkurt, ku ministri i Jashtëm shqiptar pati mundësi të takojë mjaft prej homologëve të tij. Kjo konferencë kishte mbledhur jo vetëm zyrtarë të lartë shtetesh, por edhe ministra të Jashtëm, si dhe analistë të çështjes së sigurisë. Gjatë punimeve të konferencës, ministri Basha u takua dhe bisedoi me një numër të madh kolegësh dhe personalitetesh të pranishëm, si ministri britanik i Punëve të Jashtme, David Miliband, ministri çek i Punëve të Jashtme, Karel Schwarcenberg, ministri holandez i Punëve të Jashtme, Maksim Verhagen, ministri slloven i Punëve të Jashtme, Samuel Zbogar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, përfaqësuesi i lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurimit të Përbashkët, Javier Solana, zv.kryeministri i Federatës Ruse, Sergei Ivanov, ministri turk i Punëve të Jashtme, Ali Babaxhan. Një takim të veçantë ministri Basha pati edhe me ekspertë të njohur të diplomacisë botërore, si Henry Kissinger dhe Brent Scowcroft. Gjatë këtyre takimeve, u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, proceset integruese euroatlantike, liberalizimin e vizave, zhvillimet rajonale, si dhe rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Ministri Basha i njohu bashkëbiseduesit mbi zhvillimet më të fundit në vend dhe në rajon, si dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes së vendeve të tyre për të përfunduar para samitit të Strasburg–Kiehlit procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, si dhe mbështetjen e tyre për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në drejtim të integrimit evropian të vendit. Konferencën e Sigurisë në Mynih e përshëndetën personalitete të larta të politikës evropiane dhe botërore, si kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti i Republikës Franceze, Nikolas Sarkozi, si dhe zv.presidenti i SHBA-së, z. Joe Biden.





Konferenca e Sigurisë, Basha takon zv.presidentin e SHBA-së, Joe Biden


Gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë pati mundësi të zhvillojë edhe një takim me zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden. Ministri Basha e falënderoi zv.presidentin Biden për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër vite dhe i shprehu atij vullnetin e palëkundur për të thelluar dhe më tej bashkëpunimin e ngushtë që qëndron në themel të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane. Njëkohësisht ministri Basha përmendi bashkëpunimin mes dy vendeve në të gjitha fushat, si dhe vullnetin e Shqipërisë për rritjen dhe zgjerimin e këtyre marrëdhënieve mes dy vendeve. Takimi i ministrit Basha me zëvendëspresidentin amerikan, vjen vetëm dy ditë më vonë, pas takimit që Kryeministri Sali Berisha zhvilloi në vizitën e tij në SHBA me Joe Biden. Gjatë këtij takimi, Basha përmendi arritjet e Shqipërisë në fushën e integrimit euro-atlantik.





Sllovenia ratifikon sot NATO-n me Shqipërinë


Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, pati një takim me ministrin slloven të Punëve të Jashtme, Samuel Zbogar, ku u informua se Parlamenti slloven do të shqyrtojë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, sot më datë 9 shkurt në një seancë plenare. Kuvendi slloven pritet ta ratifikojë këtë protokoll në unanimitet të plotë. Një takim tjetër u bë edhe me homologun holandez, Verhagen, i cili e informoi ministrin Basha se së shpejti pritet që senati holandez të mbyllë procesin e ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë. Gjatë konferencës u zhvilluan disa sesione, në të cilat u trajtuan çështje të sigurisë euroatlantike, bashkëpunimit NATO-BE, çështje të energjisë dhe situatës globale makroekonomike, situatës në Afganistan, në rajonin e Transkaukazit etj. Një vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor, si dhe zhvillimeve në Kosovë dhe perspektivës evropiane të saj.