Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i pranishëm dje në samitin e Partisë Popullore Europiane, ku zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, ka kërkuar mbështetje për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë në muajin dhjetor, sikundër i ka garantuar se opozita do të bëjë gjithçka, për hapjen e shpejtë të negociatave për anëtarësim. Ai gjithashtu ka kërkuar monitorim për ato që i cilësoi si praktika-antiligjore të mazhorancës. “Kam kërkuar pikë së pari mbështetjen nga të gjithë partitë simotra në pushtet, duke nisur me kancelaren Merkel dhe më të gjithë udhëheqësit e tjerë të qeverive apo koalicioneve të djathta në BE, për të konfirmuar rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, për statusin e Shqipërisë si vend kandidat për anëtarësim në BE si dhe vendosmërinë e PD, që edhe në opozitë të vazhdojë të kontribuojë në të gjithë forcat dhe mënyrat, për përshpejtimin e trajektores europiane të vendit dhe hapin tjetër në këtë trajektore, që është hapja e negociatave”, - deklaroi Basha. Mandej kreu i opozitës i ka njohur drejtuesit e qeverive të vendeve anëtare të BE dhe krerëve të Unionit Europian me situatën në Shqipëri, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në atë që e ka cilësua si shpërfilljen që mazhoranca po i bën shtetit ligjor, vlerave të gjithpërfshirjes dhe dialogut. “Në takimet dypalëshe bëra një prezantim të situatës politike në vend, veçanërisht për shqetësimet tona edhe në këtë fazë të hershme të mazhorancës së re, për shpërfilljen totale të parimeve të shtetit ligjor, për një fushatë kundër kushtetutës, ligjshmërisë, ligjit, vlerave të konsensusit, gjithpërfshirjes dhe dialogut si dhe për disa prej shqetësimeve që kanë të bëjnë me vijmësinë dhe stabilitetin e administratës publike dhe stabilitetin e trupave të veçantë që kanë të bëjnë me shtetin ligjor, me zbatimin e ligjit, siç është policia, institucionet e pavarura dhe frymën konfliktuale, në raport me to”, - shpreh Basha. Ai gjithashtu ka shprehur shqetësimin, për faktin se qeveria në Tiranë po minon sipas tij arritjet ekonomike të vendit dhe po cënon stabilitetin makro-ekonomik. Basha ka bërë të ditur se “opozita është e angazhuar të bëjë transparencën e akteve antiligjore dhe antikushtese që ka ndërmarrë qeveria dhe mazhoranca e re, mes të cilëve është dhe akti normativ për buxhetin i cili në kundërshtim me ligjin, i hap rrugë marrjes së borxhit për shpenzime operative dhe jo për investime, për këtë siç e thashë, akti normativ është një minë me sahat, është një alarm që bie për të gjithë ne”, - tha ai.
(a.k/GSH/BalkanWeb)