Elbasan - Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, garanton ecurinë e ekipit të futbollit edhe pas arrestimit të presidentit Arben Laze. Sejdini deklaron se ekipi nuk rrezikon të shpërbëhet, pasi i ka të garantuara të gjitha financat. Sipas Sejdinit, shumica e lojarëve verdheblu i ka marrë rrogat deri në fund të janarit, dhe pjesën tjetër të sezonit do ta mbulojë bashkia e Elbasanit në mënyrë absolute.



I arrestuari për trafik ndërkombëtar droge, Arben Laze, ka përqindjen më të madhe të aksioneve tek klubi i Elbasanit. Aksionerë të tjerë janë bashkia e qytetit dhe Gentian Çerraga. Sot kryetari Sejdini pritet të mbledhë bordin drejtues për të shqyrtuar situatën e krijuar.



Skuadra e Elbasanit pritet të vazhdojë sot stërvitjen normalisht në përgatitje të ndeshjes së radhës me Besën në “Ruzhdi Bizhuta”.