Drejtori i Shërbimeve, Zeneli: Qeveria të shpronësojë pronarët. 25 milionë lekë për varrezat murale


Shpresa Mezini


varrezatShpronësimi i pronarëve, të banesave që ndodhen pranë varrezave publike, në Sharrë dhe Tufinë është bërë mollë sherri mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Në një situatë, kur Bashkia e Tiranës akuzon Ministrinë e Brendshme si fajtore për ngërçin që po pengon kompensimin e pronarëve, nga ana tjetër, Ministria e Brendshme, e cila thekson se shkak i amullisë së krijuar është mungesa e dokumentacionit të rregullt të dorëzuar nga ana e Bashkisë së Tiranës, në këtë institucion.


Pak ditë pas reagimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme, e cila hedh poshtë akuzat e Bashkisë së Tiranës, burime nga ky i fundit, sqarojnë se dosja me dokumentacionin e kompensimeve të dorëzuar në Ministrinë e Brendshme, u përmbahet të gjitha kritereve që parashikon ligji.


Deklarata zyrtare e Ministrisë së Brendshme, nuk është as më shumë e as më pak se një gënjeshtër. Dokumentacioni, që përmban dosja e dërguar në këtë institucion, përmbush të gjitha rregullat. Nuk është e vërtetë që dosja është e paplotësuar apo që ndonjë shkresë të jetë e pafirmosur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, siç pretendon Ministria e Brendshme, pohojnë burime nga Bashkia e Tiranës.


Ndërkohë, drejtori i Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, Taulant Zeneli, thotë për gazetën Shqip se hartimi i projekteve, që parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e varrezave publike në Sharrë dhe në Tufinë, ka përfunduar, ndërsa pritet vetëm zbatimi i tyre, që varet nga qeveria, e cila duhet të miratojë vendimin për shpronësimet e pronarëve.


Të dyja projektet parashikojnë rehabilitim të varrezave ekzistuese, zgjerim të sipërfaqeve për varret e reja, si dhe është parashikuar ndërtimi i varrezave murale për varret e vjetra. Për rehabilitimin dhe zgjerimin e varrezave publike Tufinë është lidhur kontrata, ndërsa punimet e zbatimit të këtij projekti do të fillojnë sapo qeveria të miratojë vendimin për shpronësimet. Për rehabilitimin dhe zgjerimin e varrezave publike Sharrë, me miratimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2014 po kryhen edhe procedurat e prokurimit. Për të dyja varrezat duhet të bëhet i mundur miratimi i shpronësimeve nga ana e qeverisë, shpjegon drejtori i shërbimeve në Bashkinë e Tiranës. Sipas tij, projekti për ndërtimin e varrezave murale parashikon ndërtimin e tyre në sheshet e brendshme të varrezave. Zeneli thotë se për varrezat murale të Sharrës është parashikuar që kapaciteti të jetë 700 vende, me dimensionet 50x45x70, ndërsa për varrezat murale të Tufinës, kapaciteti do të jetë 600 vende me dimensionet 50x45x70, vetëm për varret e vjetra, që do të vendosen në varrezat murale. Për sa i takon fondit të parave që parashikohet të shpenzohen për ndërtimin e varrezave murale në Sharrë dhe Tufinë, drejtori i shërbimeve në bashki sqaron: Për Sharrën parashikohet që vlera të arrijë në 1.233.930 lekë (pa TVSH), ndërsa shuma që do të shpenzohet për ndërtimin e varrezave murale në Tufinë është 1.269.689 lekë (pa TVSH). Lidhur me parcelat, që ndodhen pranë përroit në Tufinë, që rrezikojnë të dëmtohen, si pasojë e rrëshqitjes së dheut, Zeneli shton se në projektin për Tufinën është parashikuar edhe ndërtimi i kolektorit dhe sistemimi i këtij përroi, për të bërë të mundur edhe sistemimin e këtyre parcelave. Ndërkohë, drejtori i shërbimeve në Bashkinë e Tiranës thekson se pas një diskutimi intensiv i kësaj të fundit me komunitetet fetare në vend, është gjetur mirëkuptimi mes palëve, për ti hapur rrugë ndërtimit të varrezave murale, si e vetmja zgjidhje në një situatë kaotike si kjo aktualja.


Ky shkrim Bashkia mohon akuzat e Ministrisë së Brendshme për mungesë dokumentacioni u publikua me pare te Gazeta SHQIP.