Tiranë- Një kopësht më vete për fëmijët e komunitetit rom në Allias. Kjo është dhurata e bashkisë së Tiramës për këta fëmijë, në bashkëpunim me biznesin privat.


Sipas bashkisë, ky kopësht do të fillojë funksionimin gjatë këtij fundviti dhe në ambientet e tij do të akomodohen rreth 25 fëmijë rom. “Ceremonia e inagurimit është menduar në formën e një feste, gjatë së cilës do të shpërndahen dhurata të ndryshme, materiale shkollore, por edhe lodra qe do të gëzojnë të vegjëlit me rastin e ardhjes së Vitit të Ri.''- thanë të njëjtat burime.


Ndërkohë, brenda qendrës sociale ku është vendosur ky kopësht, Bashkia e Tiranës do të krijojë për herë të parë “Kursin kundër Analfabetizmit”.


Ky kurs do të jetë i hapur dhe pa kufizim moshe për frekuentuesit e komunitetit rom. Kursi do të fillojë funksionimin e tij në fillim të muajit janar dhe vullnetarë të forumeve të ndryshme të kryeqytetit do të jenë trajnuesit që do të marrin përsipër të zbusin sadopak dukurinë e rëndë të analfabetizmit për këtë komunitet, dukuri që është rritur dukshëm pas vitit 1991, ku shumë fëmijë rom ose nuk regjistrohen fare në shkolla, ose i braktisin shkollat fillore pas vitit të parë e ku një pjesë fare e vogël e fëmijëve rom mbarojnë shkollën nëntë vjeçare.