Ambasada italiane në Tiranë ka ndryshuar tërësisht procedurën për aplikimet e qytetarëve mbi bashkimet familjare. Procedura e re konsiston në thjeshtimin edhe më shumë të radhëve, duke e lokalizuar edhe paraqitjen e grumbullimin e dokumentacionit në agjenci të shpërndarjes postare.


Kështu, nëpërmjet një njoftimi për shtyp një ditë më parë, ambasada italiane ka njoftuar se nga 1 shtatori i këtij viti, personat me banim në Rrethin Konsullor të Tiranës që dëshirojnë të paraqesin kërkesë për bashkim familjar me një qytetar shqiptar me banim në Itali, duhet të caktojnë takim në numrin 09004044000; të paraqiten në ditën e caktuar pranë agjencisë “Albanian Courier” (Union Net) më të afërt dhe të dorëzojnë dokumentet e nevojshme. Ambasada kujton gjithashtu se formularët për kërkesën e vizës dhe listat me dokumentet e nevojshme shpërndahen falas pranë ambasadës ose pranë agjencive “Albanian Courier”.


Në lidhje me ndryshimet e dokumentacionit që duhet paraqitur, ambasada e vendit fqinj ka siguruar se nuk ka asnjë ndryshim të letrave që duhen paraqitur, por vetëm në mënyrën e marrjes së kërkesave. Sipas kësaj ambasade, “procedurat e reja i përkasin vetëm kërkesave për bashkim familjar për bashkëshort ose fëmijë me qytetarë shqiptarë, rregullisht banues në Itali”.


Për sa u përket procedurave të reja, ambasada sqaron se “duke nisur nga data 1 shtator 2008, personat me banim në Rrethin Konsullor të Tiranës që dëshirojnë të paraqesin kërkesë për bashkim familjar (bashkëshort dhe/ose fëmijë) me një qytetar shqiptar me banim në Itali, duhet të ndjekin procedurat e mëposhtme:


- të caktojnë takim përmes shërbimit call center të ambasadës në numrin 0900 404 4000 (një minutë 120 lekë me TVSH);


- të paraqiten në ditën e caktuar pranë agjencisë “Albanian Courier” (Union Net) më të afërt dhe të dorëzojnë dokumentet e nevojshme, të cilat do t’i përcillen përmes postës ambasadës italiane në Tiranë.


Sipas të dhënave, pasi zyra e vizave e ambasadës italiane të ketë vlerësuar dokumentacionin e paraqitur, personi do të lajmërohet për t’u paraqitur pranë zyrës konsullore për identifikimin, pagesën e vizës dhe plotësime të mundshme të dokumentacionit.


Ambasada italiane kujton se formularët për kërkesën e vizës dhe listat me dokumentet e nevojshme shpërndahen falas pranë ambasadës, pranë agjencive “Albanian Courier” (Union Net), janë të afishuara brenda dhe jashtë ambienteve të zyrës konsullore dhe mund të shkarkohen në adresën e ambasadës (www.ambtirana.esteri.it).


Dokumentet e gjendjes civile, të lëshuara jo më parë se tre muaj nga autoritetet shqiptare, duhet të jenë të përkthyera në italisht dhe të noterizuara. Ndërkohë që firma e punonjësit të gjendjes civile dhe firma e noterit duhet të legalizohen pranë Ministrisë së Jashtme shqiptare.








Dokumentacioni që duhet paraqitur pranë agjencisë “Albanian Courier” (Union Net) më të afërt:





1) Dokumentacioni i nevojshëm për të gjitha tipologjitë:


- Formular për kërkesën e vizës (Duhet plotësuar një formular për çdo person.) Formulari duhet të plotësohet tërësisht dhe të firmoset. Për të miturit formulari duhet të firmoset nga të dy prindërit).


- Pasaporta e vlefshme (Pasaporta duhet të jetë e vlefshme të paktën tre muaj pas mbarimit të afatit të vizës së kërkuar).


- Fotokopje e pasaportës;


- 1 fotografi, format pasaporte;


- Fotokopje e autorizimit (Nulla Osta) lëshuar nga Sporteli i Vetëm i Emigracionit.





2) Dokumentacioni i nevojshëm në bazë të tipologjive:


2A) BASHKIM FAMILJAR ME BASHKESHORTIN / BASHKESHORTEN


- certifikatë martese


- leja e qëndrimit e vlefshme e qytetarit shqiptar rregullisht banues në Itali;


2B) Bashkim familjar i fëmijëve me prindërit


- certifikatë lindje e djalit/vajzës;


- certifikatë familjare


- fotokopje e lejes së qëndrimit të prindërve (nëse vetëm njëri prej prindërve është banues në Itali, prindi me banim në Shqipëri duhet të paraqesë një akt pëlqimi për çatdhesimin e djalit/vajzës, përpiluar nga një noter shqiptar, të përkthyer në italisht dhe të noterizuar; firma e noterit duhet të legalizohet pranë Ministrisë së Jashtme shqiptare.