Ambasada Italiane ka publikuar procedurat që duhen ndjekur si dhe dokumentacionin e domosdoshëm për disa tipologji të bashkimeve familjare të qytetarëve shqiptarë me të afërmit e tyre që aktualisht jetojnë në mënyrë të rregullt në shtetin fqinj, Itali. Përfaqësuesit zyrtarë të ambasadës italiane në Tiranë njoftojnë se aplikimet për këto bashkime familjare do të fillojnë duke nisur nga data 20 nëntor 2008.



Rasti i parë i përfituesve është ai kur fëmijët që jetojnë në Itali kërkojnë të tërheqin prindërit, në rastet kur ata nuk kanë fëmijë të tjerë në Shqipëri që të mund t‘i mbajnë apo të kujdesen për ta.



Në tipologjinë e dytë të bashkimeve familjare përfitojnë ata prindër që janë mbi moshën 65 vjeç dhe kanë fëmijët në Itali. Ndërkohë që fëmijët e tjerë që kanë në Shqipëri nuk mund të kujdesen për ta, për arsye të dokumentuara shëndetësore.



Autoritetet e ambasadës italiane kanë specifikuar edhe dokumentacionin e nevojshëm për këto bashkime familjare. Kështu, për ata persona që janë me banim në Rrjetin Konsullor të Tiranës dhe që do të paraqesin kërkesë për vizë për bashkim familjar me djalin/vajzën, qytetar/e shqiptar me banim në Itali, duhet të ndjekin procedurat e mëposhtme:



Të caktojnë takim përmes shërbimit call center të ambasadës në numrin 0900 404 4000. Të drejtohen në datën e caktuar pranë agjencisë "Albanian Courier" më të afërt dhe të paraqesin dokumentacionin e kërkuar. Dokumentacioni do t‘i përcillet me postë Ambasadës Italiane në Tiranë.



Pasi Zyra e Vizave pranë Ambasadës të ketë shqyrtuar dokumentacionin e paraqitur, aplikuesi do të thirret në Zyrën Konsullore për identifikimin, pagesën e vizës dhe paraqitjen e dokumenteve shtesë, nëse është e nevojshme.



Dokumentacioni që duhet të paraqitet në agjencitë "Albanian Courier": I domosdoshëm për të gjitha tipologjitë e bashkimit familjar është plotësimi i një formulari për kërkesë vize (duhet paraqitur një formular për secilin aplikues. Formulari duhet të plotësohet në çdo pjesë dhe duhet të firmoset). Po kështu një pasaportë e vlefshme për të paktën tre muaj pas mbarimit të afatit të vizës së kërkuar; një fotokopje e pasaportës; një fotografi e kohëve të fundit, format pasaporte; si dhe një fotokopje e Autorizimit (Nulla Osta) lëshuar nga Sporteli i Vetëm për Emigracionin.



Në mënyrë të posaçme autoritetet italiane kanë sqaruar më tej edhe dokumentacionin specifik për rastin e parë të bashkimit familjar, atë me prindër në ngarkim.



Ata theksojnë se dokumentacioni i nevojshëm për bashkim familjar me prindër në ngarkim me djalin/vajzën, qytetar shqiptar me banim të rregullt në Itali është: certifikatë lindjeje të fëmijës që kërkon bashkim familjar; certifikatë familjare me të gjithë fëmijët e pasur nga martesa, me të gjitha shënimet përkatëse dhe me të gjitha ndryshimet e gjendjes familjare; fotokopje e dokumentit të qëndrimit të të gjithë fëmijëve me qëndrim jashtë shtetit (në rast se një apo më shumë se një fëmijë është me qëndrim të rregullt në Itali, dokumenti në fjalë duhet të jetë i përkthyer dhe legalizuar nga një përfaqësi diplomatike/konsullore në atë vend); nëse zotërohet, certifikatë pronësie e banesës;



nëse zotërohet, certifikatë pronësie për pasuri të tjera të paluajtshme dhe kontrata qiraje; nëse zotërohet, certifikatë pronësie toke bujqësore apo deklaratë për fitimet vjetore prej saj; nëse zotërohet, certifikatë pensioni; nëse zotërohet, certifikatë pune; nëse zotërohet, licencë për ushtrim aktiviteti privat.



Në rastin e dytë, pra kur prindërit duhet të bashkohen me fëmijët në Itali, pasi ata që kanë në Shqipëri dëshmojnë se nuk munden që të kujdesen për ta, kanë një seri tjetër dokumentacioni që duhet të përmbushin.



Autoritetet e Ambasadës Italiane shprehen se dokumentacioni i nevojshëm për bashkim familjar me prindër mbi 65 vjeç, me djalin/vajzën, qytetar shqiptar me banim të rregullt në Itali, në rast se fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta për arsye të dokumentuara shëndetësore është: certifikatë lindje të fëmijës që kërkon bashkim familjar; certifikatë familjare me të gjithë fëmijët e pasur nga martesa, me të gjitha shënimet përkatëse dhe me të gjitha ndryshimet e gjendjes familjare; fotokopje e dokumentit të qëndrimit të të gjithë fëmijëve me qëndrim jashtë shtetit (në rast se një apo më shumë se një fëmijë është me qëndrim të rregullt në Itali, dokumenti në fjalë duhet të jetë i përkthyer dhe legalizuar nga një përfaqësi diplomatike/konsullore në atë vend); certifikatë mjekësore lëshuar nga mjeku i besuar i ambasadës, që të vërtetojë se fëmijët me banim në Shqipëri janë në gjendje të rëndë dhe nuk mund të kujdesen për prindërit.



Ambasada Italiane kujton se formularët për kërkesën e vizës dhe listat me dokumentet e kërkuara mund të tërhiqen pa pagesë pranë ambasadës, pranë agjencive "Albanian Courier", të afishuara në ambientet e brendshme dhe të jashtme të Zyrës Konsullore, si dhe mund të shkarkohen në adresën e ambasadës (www.ambtirana.esteri.it)



"Dokumentet e Gjendjes Civile, me afat tre muaj nga data e lëshimit prej autoriteteve lokale, duhet të përkthehen në gjuhën italiane, të noterizohen dhe legalizohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare", sqarojnë më tej përfaqësuesit e Ambasadës Italiane në Tiranë.



Dokumentacioni i nevojshëm për të gjitha tipologjitë e bashkimit familjar:



Formular për kërkesë vize (duhet paraqitur një formular për secilin aplikues. Formulari duhet të plotësohet në çdo pjesë dhe duhet të firmoset).



Pasaportë e vlefshme për të paktën tre muaj pas mbarimit të afatit të vizës së kërkuar.



Fotokopje e pasaportës.



Një fotografi e kohëve të fundit, format pasaporte.



Fotokopje e Autorizimit (Nulla Osta) lëshuar nga Sporteli i Vetëm për Emigracionin.





RASTI I



Dokumentacioni i nevojshëm për bashkim familjar me prindër në ngarkim me djalin/vajzën, qytetar shqiptar me banim të rregullt në Itali:





1. Certifikatë lindjeje të fëmijës që kërkon bashkim familjar.



2. Certifikatë familjare me të gjithë fëmijët e pasur nga martesa, me të gjitha shënimet përkatëse dhe me të gjitha ndryshimet e gjendjes familjare.



3. Fotokopje e dokumentit të qëndrimit të të gjithë fëmijëve me qëndrim jashtë shtetit (në rast se një apo më shumë se një fëmijë është me qëndrim të rregullt në Itali, dokumenti në fjalë duhet të jetë i përkthyer dhe legalizuar nga një përfaqësi diplomatike/konsullore në atë vend).



4. Nëse zotërohet, certifikatë pronësie e banesës.



5. Nëse zotërohet, certifikatë pronësie për pasuri të tjera të paluajtshme dhe kontrata qiraje.



6. Nëse zotërohet, certifikatë pronësie toke bujqësore apo deklaratë për fitimet vjetore prej saj.



7. Nëse zotërohet, certifikatë pensioni.



8. Nëse zotërohet, certifikatë pune.



9. Nëse zotërohet, licencë për ushtrim aktiviteti privat.





RASTI II



Dokumentacioni i nevojshëm për bashkim familjar me prindër mbi 65 vjeç, me djalin/vajzën, qytetar shqiptar me banim të rregullt në Itali, në rast se fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta për arsye të dokumentuara shëndetësore (në bazë të Dekretit Legjislativ nr. 160 të datës 03/10/2008 i Qeverisë Italiane dhe të Qarkores së Ministrisë së Brendshme italiane nr. 4660 të datës 28 tetor 2008):





1. Certifikatë lindjeje të fëmijës që kërkon bashkim familjar.



2. Certifikatë familjare me të gjithë fëmijët e pasur nga martesa, me të gjitha shënimet përkatëse dhe me të gjitha ndryshimet e gjendjes familjare.



3. Fotokopje e dokumentit të qëndrimit të të gjithë fëmijëve me qëndrim jashtë shtetit (në rast se një apo më shumë se një fëmijë është me qëndrim të rregullt në Itali, dokumenti në fjalë duhet të jetë i përkthyer dhe legalizuar nga një përfaqësi diplomatike/konsullore në atë vend).



4. Certifikatë mjekësore lëshuar nga mjeku i besuar i ambasadës, që të vërtetojë se fëmijët me banim në Shqipëri janë në gjendje të rëndë dhe nuk mund të kujdesen për prindërit.





Përfitues



Prindërit në ngarkim, në rast se nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes





Prindërit mbi 65 vjeç, në rast se fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta, për arsye të dokumentuara shëndetësore