dortmund-real_2_bf6a696ad0Krujë/Ndeshja mes Real Madridit dhe Borusias së Dortmundit ka shkaktuar një viktimë në Shqipëri. Tragjedia ka ndodhur të mërkurën në darkë në fshatin Borizanë në Fushë-Krujë, pasi pas sherrit për bastin e premtuar një 28 vjeçar ka masakruar me thikë shokun e tij. Sipas të dhënave nga policia sherri për paratë që duhet ti kthente shokut pas fitores së skuadrës së Dortmundit ka sjellë një përleshje me pasoja tragjike mes dy të rinjve. Një prej tyre ka humbur jetën i goditur me thikë, kurse tjetri u ndalua pas më shumë se 20 orësh i fshehur në pyllin e zonës së Krujës.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës në ambientet e jashtme të një lokali të fshatit Borizanë. I vdekur mbeti 19-vjeçari Florind Kadiu, banues në këtë fshat, dërgimi në spital i të cilit ishte i kotë. Kurse dje pasdite u kap i dyshuari Durim Xaka, 28 vjeç dhe u sekuestrua arma e krimit. Më parë ishin bërë negociata nga shokët dhe të afërmit për të pajtuar dy të rinjtë, por fyerjet degjeneruan në përleshje dhe hakmarrjen fatale. Ende nuk është përcaktuar se kush e ka nisur grindjen mes tyre, por mësohet se lokali shërbente edhe për vendosje bastesh sportive.