Kampioni botëror i dyfishtë, gjermani Franc Bekenbauer, i rekomandoi Federatës Angleze të Futbollit të rekrutojë Jurgen Klinsmanin në vendin e të shkarkuarit Stiv Meklaren. Federata angleze "dogji" ditën e enjte Meklarenin, një ditë pasi Anglia dështoi të kualifikohej për finalet e Kampionatit Europian pas humbjes 2-3 me Kroacinë në "Uembli".
Federata Anglia është duke kërkuar urgjentisht një zëvendësues të Meklarenit dhe Bekenbaueri tha se Klinsmani, i cili bëri një përshtypje të mirë si lojtar i Totenhemit dhe udhëhoqi Gjermaninë në gjysmëfinale vitin e kaluar në Kupën e Botës, mund të ishte një zëvendësues ideal i tij.
"Pozicioni i trajnerit të Anglisë është ideal për Jurgenin dhe ai mund të ishte perfekt për Anglinë", - tha Bekenbauer për gazetën gjermane "Bild". Bekenbauer më parë ka qenë kapiten i Gjermanisë si lojtar dhe trajner i saj dhe ka fituar tituj botërorë.
"Jurgen është dikush me ide të qarta. Ai e di cfarë kërkon dhe unë mendoj se ai mund ta kryejë mirë punën në Angli. Ai flet shumë mirë anglisht dhe është i respektuar në Angli qysh kur ai luante për Totenhemin".
Klinsman u vlerësua trajneri i Gjermanisë në vitin 2004, pasi skuadra dështoi në Kampionatin Europian dhe e udhëhoqi atë në vendin e tretë në finalet e Botërorit të fundit përpara se të tërhiqej për të shpenzuar më shumë kohë me familjen. Ish-lojtari i Shtutgardit, Bajernit të Munihut, Interit dhe Monakos, ishte kërkuar edhe si trajner nga Shtetet e Bashkurara.