Edhe pse ende nuk ka mbaruar minifaza përgatitore në Antalia të Turqisë, Tirana ka filluar të mendojë për derbin në ristartin e kampionatit kundrejt Dinamos.

Këtë na e ka konfirmuar një burim i besueshëm pranë bardhebluve, sipas të cilit zëvendëstrajneri italian, Mauro Bençivenga, i trembet ndeshjes ndaj bluve.

Për këtë arsye ai ka kërkuar informacione rreth kundërshtarit dhe synon të studiojë edhe disa kaseta filmike të takimeve të tyre. Ndërsa për sa i përket punës së deri tanishme në këtë minifazë përgatitore, sipas drejtorit teknik të Tiranës, Alban Tafaj, mësohet se stafi drejtues është i kënaqur me paraqitjen e titullarëve.

Ende nuk është caktuar kundërshtari për miqësoren e së shtunës, por me shumë gjasa nuk do ta zhvillojnë, sepse zëvendëstrajneri Bençivenga ka theksuar se edhe kaq sa kanë bërë i mjaftojnë skuadrës.

Të dielën, ora 13:30 kthehen në shtëpi. Do i presë autobusi në Rinas. Pas ardhjes së Rrudhos dhe Patushit, për momentin merkatoja e bardhebluve duket e mbyllur.