Një seri rezultatesh negative ka shkëputur Napolin nga lufta për titullin në Serinë A dhe tashmë trajneri Rafa Benitez pranon se kualifikimi në Champions Laegue mbetet objektivi i tretë i sezonit.



Pas humbjes 3-0 në fushën e Atalantës, Napoli e sheh veten 15 pikë pas Juventusit, një diferencë që edhe vetë Benitez nuk e beson më të rikuperueshme. Pas një eliminimi të shpejtë nga Champions League, ku italianët u renditën të tretët në grupe pas Borussias së Dortmundit dhe Arsenalit, ky sezon do të shndërrohej në një dështim të vërtetë nëse nuk do të sigurohej të paktën vendi i tretë. "Champions League është përparësia jonë, ndaj duhet të kualifikohem. Mund të përpiqemi ende të fitojmë diçka sivjet, por qëllimi kryesor është Champions", tha Benitez. I kritikuar për rotacionet e vazhdueshme që realizon, Benitez u përgjigj: "Nëse humbasim nuk është për shkak të formacionit, por sepse futbollistët që kemi nuk bëjnë diferencën në fushë. Merita e trajnerit në fitore apo në humbje është vetëm 20%. Të tjerat varen nga skuadra me të cilën ai punon". / Top Channel