BERAT - Investimet që janë kryer gjatë viteve të fundit në Berat, veçanërisht ai i tanishmi për unazën e re të qytetit, dëmtojnë rëndë rrjetin e ujësjellësit. Gjatë gërryerjes dhe zgjerimit të rrugës për vazhdimin e punimeve të unazës së re, janë çarë tubo të përmasave të ndryshme. Këtë fakt e pohon edhe drejtori i sh.a. Ujësjellës-Kanalizime Berat, z.Fatmir Shehu. Sipas tij, rrjeti i ujësjellësit në Berat është i amortizuar për shkak të mungesës së investimeve, por edhe të ndërhyrjeve pa kriter e të pakontrolluara gjatë investimeve që po kryen në qytet. Tashmë duket qartazi që në shumë segmente ai funksionon me rrjedhje për shkak të dëmtimeve. Mësohet se që prej vitit 1988, kur ky ujësjellës është ndërtuar, nuk është bërë më asnjë ndërhyrje në ristrukturimin e rrjetit përveç një investim të Bankës Gjermane KfV, për 2 km tub në vitin 1990. Sipas drejtorit Shehu, për gjendjen në të cilën ndodhet sot ujësjellësi i qytetit të Beratit, nevojitet një investim prej 12 deri 15 milion euro, të cilat do të mundësojë ristrukturimin e rrjetit dhe furnizimin 24-orë me ujë të pijshëm të banorëve.                           d.xh