Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha i uroi nënave dhe motrave shqiptare 8 Marsin përmes një mesazhi. Në urimin e tij në këtë ditë festive për të gjithë shqiptarët, Kryeministri Berisha shpreh mirënjohje për kontributin dhe rolin e tyre në jetën e vendit si dhe siguron beteja dhe përpjekje të pandërprera për barazinë gjinore, kusht i vetëm për një shoqëri më të emancipuar. “Ju përcjell të gjitha vajzave, grave, nënave dhe motrave shqiptare urimet e mia më të përzemërta për veten dhe bashkëshortët, fëmijët, familjet e tyre”, shprehet kryeministri në mesazhin e tij. Berisha duke uruar 8 Marsin nuk harron të shpreh në mesazhin e tij edhe angazhimin e qeverisë që drejton për arritjen e një barazie reale gjinore në Shqipëri. “Duke u përulur me nderim të thellë përpara sakrificës së tyre të madhe, ndihmës dhe kontributit të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shoqërisë, unë i garantoj ato se qeveria do të vazhdojë me përkushtim të madh betejën dhe përpjekjet derisa në shoqërinë shqiptare të vendoset barazia reale midis motrës dhe vëllait, midis burrit dhe gruas, midis nënës dhe babait”, shprehet kryeministri. Ndër të tjera, kreu i ekzekutivit, shprehet se barazia gjinore mbetet një nga prioritetet e qeverisë shqiptare. “Është dhe do të jetë kjo një betejë themelore e qeverisë time, betejë për emancipimin e shoqërisë dhe zhvillimin e harmonishëm të shoqërisë shqiptare. Edhe një herë ju uroj Gëzuar Festën e 8 Marsit vajzave dhe grave në mbarë Shqipërinë!”, përfundon mesazhin e urimit Sali Berisha, drejtuar nënave dhe grave shqiptare në ditën e 8 Marsit.