ADI SHKEMBI

Gjatë karrierës time politike kam krijuar kabinete, por kësaj here përzgjedhjen e kam më të vështirë se asnjë herë tjetër. Kështu është shprehur dje Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, i dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Në të parin prezantim, pak orë përpara se të shkonin në Kuvend, ligjvënësit demokratë janë informuar nga kreu i ekzekutivit mbi ecurinë e formimit të Qeverisë. Por sipas Berishës ky proces nuk është i lehtë, për shkak se kualitetet që ai ka në dispozicion janë shumë herë më të mëdha se sa vendet që ofron kabineti qeveritar. “Së shpejti, do të paraqes kabinetin qeverisës para jush dhe qytetarëve shqiptarë. Gjatë karrierës time politike kam krijuar kabinete, por kësaj here përzgjedhjen e kam më të vështirë se asnjë herë tjetër. Por, natyrisht, kërkoj mirëkuptimin e gjithsecilit, sepse ato janë gjithsej 14 vende, një pjesë janë të koalicionit dhe pjesa që i mbetet Partisë Demokratike nuk do të mjaftonte as për 1/5, apo edhe më shumë, e atyre që meritonin të uleshin në ato poste”, theksoi kreu i ekzekutivit. Pikërisht në këtë kontekst ai ka deklaruar se për pjesën e deputetëve, të cilët nuk do të jenë ministra, institucioni i Parlamentit është një shans i madh për çdo politikan. “Në Parlament, më mirë se kudo, zhvillohet personaliteti politik i njeriut, zhvillohet oratoria dhe, të jemi realistë, oratoria i duhet politikës”, theksoi Berisha.
Opozita
Përsa i përket reformës zgjedhore, kreu i maxhorancës është shprehur hapur ta ndryshojë sërish sistemin zgjedhor, duke deklaruar se do t’ia lërë sërish opozitës ta propozojë, por ka shtuar se i vetmi sistem që nuk do të pranojë është “dushku”. “Dua t’ju them juve këtu se për sa kohë që do të jem në pushtet, unë, Sali Berisha, do t’i njoh të drejtën opozitës të zgjedhë dhe rizgjedhë cilindo sistem zgjedhor që të dojë, përveç sistemit të Dushkut, sepse ai na turpëron. Sikundër, mbetem i vendosur për ndryshimet respektive në kuadrin zgjedhor, për të hequr çdo lloj persekutimi me ligj të forcave të tjera politike”, bëri të ditur kreu i ekzekutivit. Në fund ai u shpreh sërish i hapur për të bashkëpunuar me opozitën për reformat e rëndësishme. “Unë e garantoj opozitën se do të bashkëpunojmë me frymë të hapur, konstruktive, se zëri i saj do të dëgjohet dhe se, së bashku me maxhorancën, ajo do të jetë bashkautore e reformave të mëdha që do të çojnë Shqipërinë me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi fjalën në mbledhjen e parë të grupit të maxhorancës Berisha.