Tiranë -Kryeministri Sali Berisha i ka quajtur spekulime primitive pretendimet e Partisë Socialiste për sa i përket procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit. Kryeministri Berisha tha se blerja e një malli nuk është taksë dhe se qeveria ka paguar në masën 80-100 për qind të çmimit të saj për rreth 700 mijë qytetarë.



“Këto janë zhvillime shumë pozitive. Ata që spekulojnë me të ashtuquajturën taksë vote, bëjnë një akt sharlatanizmi të paprecedent dhe përpiqen të mashtrojnë si ordinerë qytetarët. Qeveria jo vetëm nuk ka vendosur taksë mbi çmimin e prodhimit, përkundrazi për rreth 700 mijë qytetarë ka paguar çmimin në masën 80 deri në 100% të tij dhe merr nga 200 lekë deri falas. Në një kohë, kur në të gjitha vendet përreth, këto karta janë shituar edhe deri në 50 euro dhe këtu nuk po flas për vendet e pasura, megjithëse edhe për këto vende, me të ardhura mujore deri në 2 mijë euro, çmimi prej 50 euro nuk është pak. Ne po e japim me 1.5 euro” u shpreh Kryeministri Berisha.



Gjatë mbledhjes së qeverisë, Berisha theksoi se qeveria vendos subvencionin e transportit për shtetasit që ndodhen në zona me distancë të largët nga qendrat e aplikimit për letërnjoftimin elektronik. Kryeministri Berisha, duke prezantuar këtë vendim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, tha se qeveria do të paguajë transportin e shtetasve në komunat dhe fshatrat e tyre që janë larg qendrave të aplikimit për pajisjen me letërnjoftimin elektronik.



“Me riorganizimin e Gjendjes Civile, në disa komuna pati një heqje të tyre, për shkaqe objektive administrative dhe është në rishqyrtim e riorganizim krijimi me kohë të pjesshme i zyrave të gjendjes civile në këto komuna, por, derisa të krijohen, zgjedhësit e këtyre komunave do të kenë të paguar transportin për në komunat, ku ndodhen qendrat e aplikimit. Natyrisht, kjo do të aplikohet jo vetëm për këto komuna, por edhe për fshatrat e një komune që ndodhen larg. Ka komuna shumë të hapura që, realisht, në këmbë janë mbi tre orë dhe këtyre zgjedhësve qeveria do të marrë përsipër t’u paguajë transportin për në qendrën e aplikimit,” u shpreh Kryeministri.



Kryeministri Berisha konsideroi se masat e qeverisë kanë qenë jashtëzakonisht të efektshme dhe numri i personave që kanë aplikuar kanë arritur në 17 mijë në ditë dhe tendenca është të shkohet drejt 20 mijë aplikime në ditë. Firma e prodhimit të kartave ka hapur 58 qendra të reja aplikimi më shumë, sesa ishte parashikuar në kontratë.