Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje 140 kandidatët për deputetë të PD-së për zgjedhjet e 28 qershorit, duke i paralajmëruar se privilegjet e tyre do të jenë me pikatore. Përpara 140 kandidatëve, Berisha u bëri me dije se duhet të përdorin me përgjegjshmëri pushtetin, madje u bëri me dije se qeveria e tij do të dërgojë para zgjedhjeve një ligj, që do t’u heqë atyre privilegjet. Kreu i mazhorancës u shpreh se deputetët e Kuvendit të ardhshëm do të jenë më përfaqësuesit që ka pasur ndonjëherë Parlamenti. “4 vite më parë unë premtova një qeveri të vogël. Ne kemi një standard të papranueshëm dhe ky është standardi i veturave të zyrtarëve, të cilit duhet t'i japim fund si qeveri, Parlament dhe shtet. Para zgjedhjeve, unë do të bëj ligjin për këtë gjë, pasi nuk mund të kenë deputetët shqiptarë më tepër privilegje se deputetët austriakë”, - tha Berisha. Ai u premtoi se do t’u krijohen mundësitë për të gjitha kërkesat e tyre, por sipas tij, do t’u jepet fund praktikave të shpenzimeve të larta. Kreu i qeverisë tha se deputetët do t’u japin shembull gjithë zyrtarëve të shtetit shqiptar, për të hequr dorë nga privilegjet, që sipas tij, bien në kurrizin e shqiptarëve. Lideri i mazhorancës premtoi një qeveri më të vogël se kjo aktuale, duke u shprehur se kjo është filozofia e PD-së. Ai u kërkoi atyre që nesër si përfaqësues të qytetarëve, të plotësojnë çdo kërkesë së tyre. Berisha mori si shembull mesazhet e panumërta që i vinin në celularin e tij. “Një vajzë më dërgoi një sms nga Kukësi, pasi ishte konfrontuar me familjen e saj. Fola me zëvendësministren dhe më tregoi se ishte e vërtetë. Ne bëmë çdo gjë që ajo kërkoi, ndaj dhe ju duhet të jeni pararojë e halleve të qytetarëve. Detyrat i kemi të vështira dhe programin elektoral unë e konsideroj të mundimshëm dhe të vështirë, por absolutisht të realizueshëm”, - u kërkoi Berisha kandidatëve.


Ekipi


Lideri i mazhorancës prezantoi për më se tri orë, të 140 kandidatët për deputetë. Ai e cilësoi atë si ekipin e fitores. Ai tha se kjo listë ishte produkt i diskutimeve të gjera. “Dua të theksoj gjithashtu se për një listë prej 140 vendesh, ju garantoj se me të drejtë, ka pasur së paku 1400 pretendentë”, - tha Berisha duke shtuar: “Kjo listë është produkt i një veprimtarie shumë të gjerë i kontributeve thelbësore, individuale në qendër dhe në rrethe i anëtarëve të saj”.


Kreu i qeverisë u shpreh i bindur se kjo listë do të triumfojë. “Kam bindjen më të madhe se gërshetimi në këtë listë i politikanëve të shquar dhe me integritet, i akademikëve të njohur dhe me kontribute të mëdha, i personaliteteve të shquara nga të gjitha fushat e kulturës, artit, biznesit, shkencave do t’i japë Parlamentit shqiptar të ardhshëm një nivel të ri që nuk e ka pasur ndonjëherë më parë. Por mbi të gjitha, lista dallohet për një aspekt të veçantë, aspektin njerëzor të kandidatëve që ne paraqesim, aspekt që është jetik për një frymë qytetare të Parlamentit të ri”, - deklaroi ai. Berisha u ndal në arritjet e qeverisë gjatë këtij mandati, duke vlerësuar se hyrjen e vendit në NATO si dhe arritje ekonomike. Ai tha se në Shqipërinë e katër viteve në vijim, nuk do të ketë më varfëri dhe sipas tij, asnjë familje nuk do të ketë më pak se 2 dollarë për frymë në familje. “Ne jemi marrë me zgjidhjen e këtyre problemeve dhe kemi krijuar një praktikë të re në këtë drejtim. Ne nuk jemi ende një vend i pasur, por për sa i përket nivelit të jetesës, kemi lënë prapa 127 vende të planetit, çka do të thotë se duhet t'u japim përgjigje të plotë problemeve të qytetarëve”, - tha Kryeministri Berisha.