Kryeministri Sali Berisha konfirmoi dje në Bruksel se qeveria shqiptare nuk dëshiron që të vlerësohet së bashku me Bosnjë-Hercegovinën për sa i procesit të liberalizimit të vizave. Këtë deklaratë kreu i qeverisë e bëri pas takimeve të shumta që zhvilloi dje në Bruksel me krerët më të lartë të së djathtës europiane. Ndonëse Kryeministri theksoi se ai uronte që edhe qytetarët e Bosnjës të lëvizin në Europë pa viza, theksoi se vlerësimi në paketë nuk ishte në të mirë të vendit tonë. “Uroj që edhe Bosnja ta marrë, por e kam theksuar se nuk dua vlerësim në paketë. Unë dua vlerësim në performancë dhe tregues. Ky është qëndrimi im. Treguesit dhe performanca jonë janë të gjitha të qarta dhe këtu nuk besoj që këto gjëra të lidhen njëra me tjetrën”, bëri të qartë Kryeministri. Duke qenë se vizat ishin kryefjala e vizitës së Berishës në samitin e Partive Popullore Europiane, kreu i qeverisë premtoi se ai kishte marrë garanci se lëvizja e lirë e shqiptarëve do të ishte e mundur brenda këtij viti. “Unë jam optimist dhe i sigurt se vendimi do të merret brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, ashtu sikurse është premtuar”, deklaroi Berisha. Sipas tij, së shpejti në vend do të fillojë edhe një fushatë sensibilizimi për sa i përket këtij procesi, ku shqiptarët duhet të kuptojnë se ata nuk do të kenë të drejtën të jetojnë dhe punojnë në vendet europiane, vetëm si pasojë e këtij procesi. “Ne do të fillojmë edhe një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi për qytetarët shqiptarë, në mënyrë që të mos të ndodhin ato që ndodhën me qytetarët e vendeve të tjera. Pra, të mos ketë asnjë lloj keqkuptimi dhe t’u shpjegohet që këtu nuk mund të bëhet fjalë të kërkosh azil dhe se ajo është vetëm një praktikë shumë e dëmshme”, bëri të qartë Kryeministri. Sipas tij, procesi i vizave mund të konsiderohet si një proces teknik. Berisha theksoi se ai priste që Komisioni Europian të bënte raportin e tij, raport i cili do të merrte pëlqimin e vendeve anëtare të BE-së dhe më pas do të kalonte për aprovim në Parlamentin Europian.








#