Zamira Cavo - Besoj janë shumë të pakët ata individë që ende u ka mbetur
pak shpresë se Berisha do t’i rifitojë zgjedhjet. Tashmë të gjithë,
përfshi dhe vetë zotin Berisha, e kanë më se të qartë se rotacioni
politik është domosdoshmëri e demokracisë. Dhe ky është sigurisht një
lajm i mirë për vendin.



Është lajm i mirë, sepse ne duhet të mësohemi me idenë e ndryshimit, madje të ndryshimit me votë të lirë dhe jo me dhunë. Vetëm në këtë mënyrë shqiptarët do të çlirohen nga “dëshira për idhuj” dhe varësia mentale prej tyre. Por nuk mjafton vetëm kaq. Rotacioni politik nuk do të thotë thjesht zëvendësim të një pale me një palë tjetër politikanësh. Por është zëvendësim modeli, ndryshim kursi politik. Nëse mendojmë se me largimin e Berishës nga drejtimi i vendit, është kryer i gjithë procesi i transformimit unë them se gabojmë rëndë. Largimi i Berishës duhet të konsiderohet vetëm hapi i parë i ndryshimit të modelit. Modeli i qeverisjes “Berisha” është modeli i mosqeverisjes, modeli i klanizmit dhe mungesës së vizionit, është modeli i papërgjegjshmërisë politike dhe pandëshkueshmërisë ligjore. Nëse do të vlerësonim modelin e Berishës si lider, do të thosha me bindje se ky është modeli më kaotik e autoritar që mund të shfaqte një lider në periudhën që jetojmë( duke vlerësuar këtu dhe rolin e faktorit ndërkombëtar) -Një lider, së pari investon për të krijuar një lidership profesional. Ai investon për të lënë pasardhësit e tij, politik dhe këtë e bën çdo ditë e në mënyrë permanente. Realisht vetëm këto javët e fundit po shihet dukshëm një përpjekje e dëshiruar e z. Berisha për të ngritur figurën jo fort të besueshme të z. Basha në politikë. Berisha në 23 vjet të karrierës së tij politike, nuk ka mbështetur askënd me idenë e të investuarit në liderët e së ardhmes. Kjo sjellje e z. Berisha do ta gjejë të papërgatitur Partinë Demokratike pas largimit të tij. Zërat që dëgjohen korridoreve se me Lul Bashën Partia Demokratike do të mbetet në dorë të Argitës, ka filluar që tani të sjellë dyshime serioze për një të ardhme të shëndetshme të kësaj partie. -Një lider i mirë, ndan informacionin me ekipin e tij dhe pse e di mirë se informacioni është pushtet. Por nëse ekipi që ai drejton ka informacion, lideri rrit padyshim shkallën e përgjegjësive në realizimin e detyrave. Por z. Berisha i ka “ditur” të gjitha vetë aq sa dhe anëtarët e tij të qeverisë shpesh ngrenë supet për çështje që i “di vetëm doktori”. Duke përqendruar informacionin, Berisha ka ushqyer papërgjegjshmërinë dhe spontanitetin. -Nuk mund të jetë model i suksesshëm lideri, ai model që mbështetet në demagogjinë e shfrenuar, e banale dhe në orientimin tipik klanist të zhvillimit të ekonomisë së një vendi. Berisha është një model i tillë. Dikush mund të thotë se ai u fiksua pas rrugëve dhe bëri rrugë. Do ta konsideroja shumë pozitive këtë orientim ose fiksim të z. Berisha, nëse shpenzimet e kryera do ia vlenin e rrugët do ishin me standarde, aksidentet do ishin shumë herë më të vogla, dhe në fund të fundit, zhvillimi ekonomik i zonave përgjatë Rrugëve do të ishte i ndjeshëm. Por fatkeqësisht, asgjë nga këto nuk mund të llogaritet si pozitive, kur dhe mirëmbajtja e tyre është gati e harruar. Po përse “u fiksua” z. Berisha te Rrugët? Thjesht për qëllime elektorale të dukshme? Nuk mendoj kështu, por them se ky është drejtimi që i ka mundësuar klanit Berisha, fitime kolosale dhe mbështetje politike personale. Kush duhet të japë llogari se ku i kanë gjetur paratë fëmijët e tij për të bërë kështjellat e tyre private në Tiranë? Të paktën kaq shikojmë të gjithë, ndaj nuk po flas për të ardhura të tjera e investime personale marramendëse. Ndërkohë, vendi mbeti sërish në vendet më të varfra. Shqipëria vazhdon të konsiderohet vend i varfër dhe pse z. Berisha e trumbeton si Amerikë të Amerikave. -Modeli i një lideri të suksesshëm është ai model që e afron liderin me të tjerët, e bën të përgjegjshëm për detyrat dhe përgjegjësitë që ka e mbi të gjitha për paprekshmërinë e institucioneve shtetërore e respektimin e ligjit. Modeli “Berisha” nuk i njeh ligjet dhe sigurisht as nuk i intereson t’i zbatojë apo të kontrollojë zbatimin e tyre. Sepse në këtë model, ligji është vetë Berisha. Sa drejtues institucionesh keni njohur që kur u thua se ligji është ndryshe nga çfarë thotë ai të kthen përgjigjen standarde: “Shteti është PD-ja dhe Sali Berisha”. Shembuj të tillë çdo lexues gjen nga përvojat personale. - Një lider është gjithnjë vizionar. Ai duhet të shikojë zhvillimin e vendit disa vite më tej, por modeli “Berisha” ka ngecur në vend, sepse bazohet në një model përfitimi personal. Nëse shikon me kujdes hapat që bën Berisha në këtë fushatë elektorale duke qartazi se atij nuk i intereson e ardhmja jonë, por e ardhmja e tij personale e familjare. Për ta realizuar këtë ai është gati t’i “vërë zjarrin” vendit. Ky model nuk mund të jetë model lideri të suksesshëm. Sikundër shihet, modeli “Berisha” ose berishizmi ka disa tipare, ku më të dukshmet janë ushtrimi i presionit dhe frikës ndaj bashkëpunëtorëve dhe demagogjia e shfrenuar ndaj popullit për të fshehur krimet e kryera në kurriz të tij. Ndaj them se berishizmi që duket se është model i preferuar i liderëve të politikës shqiptare, duhet çrrënjosur, për ndryshe çfarë rëndësie ka nëse ikën Berisha. Në një farë mënyre ne e kemi në dorë ta realizojmë këtë ndryshim. Kemi në dorë Votën! Gazeta "Shqip"