berishaEtrit Berisha nuk do të largohet nga Lazio.

Së fundmi në media është folur shumë për një lamtumirë të mundshme të portierit të Kombëtares Shqiptare nga klubi kryeqytetas, por 26-vjeçari i lindur në Prishtinë ka ndërruar mendje dhe do të vazhdojë aventurën e tij me bardhekaltërit. Sipas asaj që publikon e përditshmja italiane "La Republica", Berisha është i entuziazmuar nga ideja për të luajtur në Champions League sezonin e ardhshëm dhe ka vendosur të qëndrojë te Lazio.

Edhe pse konkurrenca me Marchettin do të jetë shumë e fortë, Etriti nuk do të heqë dorë dhe do të luftojë me 32-vjeçarin për vendin e titullarit. Në sezonin që sapo u mbyll, Berisha u aktivizua në 17 takime me Lazion duke dhuruar në shumë raste paraqitje pozitive. Trajneri Pioli e vlerëson së tepërmi numrin 1 të Kombëtares Shqiptare dhe pritet t'i japë shanse atij edhe sezonin e ardhshëm, aq më tepër që Lazio me pjesëmarrjen në Champions League do të ketë më shumë ndeshje për të zhvilluar. Fillimisht u fol se Berisha dëshironte largimin nga bardhekaltërit për t'u aktivizuar rregullisht në një klub tjetër, por mesa duket ky skenar është hedhur poshtë nga portieri shiqiptar, i cili edhe sezonin tjetër do të bëjë gjithçka për të fituar vendin e titullarit te Lazio./SuperSport