Kryeministri Sali Berisha priti dje një përfaqësi të ekipit prestigjioz të futbollit italian, Milan, të cilët ndodhen në Shqipëri për një ndeshje futbolli miqësore me ekipin e futbollit të Tiranës dhe për disa aktivitete të tjera bamirësie. Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e tij dhe të sportdashësve shqiptarë për këtë eveniment kaq prestigjioz dhe kaq të dobishëm. Kryeministri theksoi se ardhja e ekipit të Milanit është një festë e vërtetë për Shqipërinë, festë e cila ka gëzuar zemrat e çdo fëmije dhe të rrituri. Gjithashtu, Kryeministri përgëzoi përfaqësuesit e Klubit Sportiv “Milan” për fisnikërinë që po tregojnë përmes këtij projekti, fondet e të cilit do të shkojnë për krijimin e disa bibliotekave dhe në ndihmë të të rinjve shqiptarë. Gjatë takimit, përshëndeti dhe zëvendëspresidenti dhe administrator i përgjithshëm i Klubit Sportiv “Milan”, z. Adriano Galiani, i cili u shpreh se ekipi i Milanit pranoi me shumë kënaqësi ftesën për të ardhur në Shqipëri. Ndër ta, ylli i futbollit, Shevçenko, erdhi enkas nga Londra për këtë ndeshje. Gjithashtu, në radhët e përfaqësisë së Klubit Sportiv “Milan” merrnin pjesë edhe yjet legjendarë të futbollit italian: Franko Barezi, Andrea Pirlo etj. Kryeministri Berisha u shpreh se organizimi i evenimenteve të tilla të nivelit të lartë sportiv janë instrumenti më i mirë për të forcuar miqësinë, dialogun dhe solidaritetin mes dy popujve. Sportistët italianë falënderuan Kryeministrin Berisha dhe përmes tij, sportdashësit shqiptarë për mikpritjen dhe atmosferën entuziaste që ata gjetën në Shqipëri, që nga momenti i mbërritjes së tyre.