Kryeministri Sali Berisha deklaron se qeveria është e vendosur për dhënien e autonomisë arsimit të lartë. Në konferencën për arsimin e lartë ai pohoi se universitetet duhet të kenë autonominë më të madhe nga qeveritë. "Qeveria ime është e vendosur t'u japë ju autonominë më të madhe të mundshme që ekziston në vendet e zhvilluara. Liria akademike nuk zhvillohet pa autonomi të plotë", theksoi ai.



Sipas kreut të qeverisë duhet një mekanizëm i ri financiar që t'i garantojë universiteteve mundësitë për një liri të vërtetë akademike.

Ai theksoi se universitetet duhet të ecin në funksion të cilësisë, qofshin këto shtetërore apo private.





Berisha kërkoi një model të ri të menaxhimit dhe financimit të arsimit të lartë duke pohuar se cilësia e arsimit të lartë nuk është në nivelin e duhur. Berisha vlerësoi se për arsimin është humbur shumë kohë ndërkohë që duhet të vendosë si pikësynim vetëm objektivat e grupit të vendeve më të zhvilluara. "Bëj thirrje që me seriozitetin më të madh të angazhohemi në një debat të gjerë në historinë e arsimit të lartë për të vendosur një model të ri në financimin dhe menaxhimin e arsimit të lartë në Shqipëri", u shpreh kryeministri . Ai theksoi se 5 vjet më parë arsimi i lartë në sasi ishite 4 herë më larg se vendet e BE-së." Sot ne po ecim drejt trefishimit të numrit të studentëve, por nuk jemi ne standardin e duhur", shtoi kryeministri.







Ndërsa, Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj deklaroi se deri në vitin 2014 Shqipëria do të ketë 150 mijë studentë, sepse tashmë liberalizimi i arsimit në Shqipëri është një realitet.

Ai tha se numri i studentëve ne krahasim me 2008-ën është rritur 2.5 herë. Tafaj nënvizoi se arsimi i lartë privat është domosdoshmëri.

Sa i përket finanicimeve në arsimit, Ministri nënvizoi se fondet publike do ndjekin studentin në shkollat që plotësojmë standardet. Ai shtoi se do ketë financim të drejtpërdrejtë te studenti, do financohet për zhvillimin strategjik për institucionet shkollore dhe do financohet për kërkimet shkencore.

Në fjalën e tij, ministri i Financave, Ridvan Bode pohoi se arsimi i lartë përbën prioritet të qeverisë.