Incidenti i fundit i ndodhur me komunitetin rom dhe dëbimi i romëve nga çadrat e tyre është një ngjarje e papranueshme dhe e shëmtuar. Kreu i qeverisë Sali Berisha gjatë takimit me përfaqësues të komunitetit rom ndër të tjera u premtoi atyre se qeveria do të bëj përpjekjet maksimale për të strehuar këto familje dhe për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla.


Ndër të tjera, kryeministri Berisha tha se e kishte kërkuar këtë takim pasi e ka ndjekur në mënyrë konstante atë ngjarje shëmtuar, të papranueshme nga qeveria dhe nga shoqëria. “Policia e shtetit i ka identifikuar dhe i ka ndalur ata. Jam i bindur se drejtësia do të thotë fjalën e saj" u shpreh ndër të kryeministri. Përfaqësuesi i komunitetit rom në këtë takim, Ardian Nuredini, shprehu shqetësim për ngjarjen e ndodhur ndërsa tha se në atë zonë banonin prej 11 vjetësh dhe asnjëherë nuk kishin pasur probleme të tilla.


Kryeministri Berisha e siguroi atë se qeveria është angazhuar tashmë për strehimin e tyre dhe se do të bëj gjithçka që mbarë komuniteti rom në Shqipëri të ketë një jetë më të mirë. Duke theksuar se ka përpjekje reale për shkollimin, strehimin dhe arsimimin e komunitetit rom, kryeministri Berisha vlerësoi se roli i shoqatave të romëve është pazëvendësueshëm.Kryeministri ndër të tjera deklaroi se duhet që të bëhet gjithçka edhe kundër trafikut të fëmijëve të këtij komuniteti,të mbrohen të regjistrohen dhe të shkollohen.


Kryetari i shoqatës së romëve Skënder Veliu falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen që u rezervoi, si dhe për prezencën e tij në shumë aktivitete domethënëse për komunitetin rom, si në ditën Ndërkombëtare të Romëve duke u shprehur se kjo pjesëmarrje ka qenë një mesazh, jo vetëm për këtë komunitet, por për mbarë qytetarinë shqiptare.