Trajneri i Besës, Vasil Bici, është tekniku që ia njeh të fshehtat Dinamos më mirë se kushdo tjetër. Lezhjani, që sot drejton kavajasit në sfidën e tij të dytë, sezonin e kaluar e mbylli sezonin si trajner i Dinamos, madje duke e cuar edhe në Kupën UEFA.
Morali i lartë
Dinamo mbërrin në Kavajë me moralin "ngrohtë" pas fitores spektakolare ndaj Luftëtarit (4-1), gjendje që trajneri-lojtar Redi Jupi do të përpiqet ta shfrytëzojë në maksimum, kur ka parasysh se Besa vuan ende humbjen me Vllazninë (0-1). Përballja e fazës së parë në Tiranë përfundoi me fitoren e Dinamos (3-1). Një fitore e kontestuar nga ish-trajneri Hasan Lika në lidhje me disa vendime të diskutueshme të gjyqtarit Kridens Meta (Lika u ndëshkua me një gjobë 10 mijë lekë për deklarimet e tij).
Roli i Xhihanit
Sulmuesi i Besës, Parid Xhihani, është futbollisti kavajas që e njeh më mirë Dinamon se kushdo tjetër. Golashënuesi më i mirë i Besës sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Dinamos. Besa synon që me Dinamon të gjejë tri pikët e kthesës që të cojnë në shkallët e sipërme të Kategorisë Superiore, fitore që mund të ishte e para në shtatë ndeshjet e zhvilluara në shtëpi. Trajneri Bici ka zhvilluar dy seanca stërvitore në ditë me kavajasit, ndërkohë që të gjitha ushtrimet taktike i janë kushtuar shpëtimit nga kurthi i kundërsulmeve të "nëndetëses".
Rikthimi i Gudjabit
Në Kavajë të gjithë presin të hakmerren ndaj Dinamos dhe më hapur se kushdo tjetër këtë e shpreh mesfushori Emiljano Veliaj. Për mesfushorin beratas të Besës, formacioni i tij e ka potencialin e duhur për të arritur fitoren. Rikthimi te goli i senegelazit El Haxhi Gudjabi, të shtunën e kaluar, është një sinjal i "ëmbël" për treshen e trajnerëve të Dinamos: Jupi-Mërgjyshi-Bozhiqi. Gudjabi shënoi dy nga tre golat e fitores së fazës së parë ndaj Besës. Dinamo, nga ana tjetër, është në presionin e dëmtimit të mesfushorit Artion Poci, autor i dy golave në fitoren 4-1 ndaj Luftëtarit.

FAZA E PARË
DINAMO – BESA 3-1
Shënues: Deliallisi 2, Gudjabi 45\', 56\'/ Kraja 61\'
E premte, 15 shtator 2006, ora 15:00, në stadiumin "Selman Stërmasi" Dinamo: Lika, Diob, Xhafa, Kastel, Poci, Deliallisi (Ishka 85\'), Ahmataj, Vincetic (Romanishin 70\'), Caushaj, Gudjabi, Qorri (Asllani 75\'). Trajner: F. Sejdini
Besa: Mustafa, Hashani (Hoxha 46\'), Kraja, Nana, Dragusha, Belisha, Veliaj, Babaj (Bajgora 46\'), Binogol, Abanda, Elokan (Xhihani 70\'). Trajner: H. Lika
Gjyqtarë: K. Meta, P. Goxhaj, E. Doda (Tiranë) Vëzhgues: P. Kotherja (Tiranë)
Kartona të verdhë: Xhafa, Poci/ Kraja