Nga Leonard Dushku


Lajme të mira për trajnerin Gugash Magani, pasi janë kthyer në fushë Hoxha, Dhëmbi dhe Mihani





Besa Gramshi       2-2


 


Shënues: Hasa 38, Dhëmbi 63 (11-metërsh) /  Le. Koçi 55, F. Çekrezi 88


Besa: Guma, Perja, Krasniqi, Hoxha, Bllaka, Rroshi, Çelhaka, Duka, Tosuni, Hasa, Hylviu. (U aktivizuan edhe Morina, Bakaj, Ndoni, Kolçcaku, Gjini, Muho, Dedej, Dhëmbi, Bubeqi, Dushku, Mihani dhe Kanapari.)  Trajner: G. Magani.


Gramshi: Koçi, Kaloshi, M.Dushku, Doçi, Kote, Marishta, Duka, F. Çekrezi, Trashi, Le. Koçi, Pengu. (U aktivizuan edhe Boduri, Maçolli, Balla, A. Çekrezi, Topalli dhe Lila). Trajner: E. Mustafaraj.


Besa priti dje Gramshin në një ndeshje miqësore, nisur nga fakti se këtë javë nuk do të ketë ndeshje kampionati. Në kuadrin e ndeshjes së rëndësishme me Lushnjën në transfertë, stafi kavajas organizoi këtë miqësore, që përfundoi në barazim, 2-2, por kuptohet që nuk ishte rezultati objektivi i kësaj ndeshjeje. Trajneri Gugash Magani aktivizoi të gjithë futbollistët që kishte në dispozicion.


E rëndësishme për kavajasit është se dje kanë luajtur edhe titullarë si Hoxha, Dhëmbi dhe Mihani, të cilët vijnë nga dëmtimet. Rikthimi i tyre për sfidën në Lushnjë është një plus për Besën, që nuk po arrin të shfaqet si duhet në kampionat. Ka munguar vetëm kapiteni Poçi, i cili ende nuk është riaftësuar dhe është në dyshim për ndeshjen e radhës me Lushnjën.


Golat Gjatë pjesës së parë janë aktivizuar më shumë futbollistë të stolit, por loja e kavajasve ka qenë e një niveli të kënaqshëm. Hasa ka shënuar në minutën e 38-të për Besën, ndërkohë që 10 minuta pas fillimit të pjesës së dytë kanë barazuar miqtë nga Gramshi me anë të Ledio Koçit.


Në këtë pjesë kanë hyrë në fushë edhe Dhëmbi, Mihani, Bubeqi, Ndoni, Bakaj dhe Dushku, të cilët janë titullarë në formacionin e trajnerit Magani. Dhe pikërisht korçari Dhëmbi e ka kaluar Besën përsëri në avantazh me anë të një 11-metërshi të fituar nga Dedej në minutën e 63-të. Besa ka luajtur mirë, por nuk ishte e thënë që ta fitonte këtë miqësore, sepse dy minuta para fundit Gramshi ka barazuar me F. Çekrezin.


Rastet e humbura Besa ka arritur të krijojë një mori rastesh për shënim në këtë ndeshje, por sulmi i saj nuk ka mundur të bëjë detyrën, duke shpërdoruar shumë. Ky është një defekt serioz për kavajasit, që e ka ndëshkuar skuadrën jo pak edhe gjatë ndeshjeve të kampionatit. Sulmuesi Dushku nuk ka qenë në një ditë të mirë, pasi ka gabuar disa herë përballë portierit të Gramshit.