besimtaret myslimane

- Edhe këtë vit, besimtarët myslimanë i kryen ritet e tyre fetare në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", pasi prej 1 viti projekti për ndërtimin e Xhamisë së Tiranës është bllokuar nga qeveria dhe Edi Rama. S'ka asnjë premtim për mijëra besimtarët myslimanë, ndërsa në rastin më të mirë kryeministri bën një vesh shurdh dhe një sy qorr. Kësisoj, çdo kremtim të festës së Bajramit, myslimanët do të jenë të detyruar t'i kryejnë ritet në rrugë

- Presidenti Bujar Nishani dhe kryetari demokrat Lulzim Basha urojnë besimtarët

UPDATE- Prej vitesh tashmë falja e namazit bëhet në rrugë nga mijëra myslimanët e Tiranës. Edhe këtë vit, koha ishte e përshtatshme për faljen e tyre në qiell të hapur. Falenderimet për politikanët gjatë faljes nuk munguan. Por ndërkohë, prej 1 viti qeveria dhe kryeministri Edi Rama kanë bllokuar projektin për ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës, duke i lënë besimtarët myslimanë sërish në rrugë.projekti i xhamise se tiranes Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit dhe në emër të dashurisë për njeriun. Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit.
Kurban Bajrami, tashmë një ditë feste zyrtare kremtohet prej vitesh nga të gjithë shqiptarët, pa harruar këtu devotshmërinë e besimtarëve myslimanë në këtë ditë, e cila shënon flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit të zotit, në emër të dashurisë për njeriun.

Presidenti Bujar Nishani uron Kurban Bajramin për besimtarët myslimanë
Presidenti Bujar Nishani uroi besimtaret myslimane per Kurban Bajramin. Ne nje njoftim per shtyp presidenti shkruan se: "Këtë Kurban Bajram e festojmë fill pas vizitës historike të kreut të botës së besimit tjetër, besimit katolik, gjatë së cilës Ati i Shenjtë dhe bota mbarë vunë theksin mbi një nga vlerat tona kombëtare më të çmuara, tolerancën fetare, respektin reciprok për besimin e tjetrit, paqen mes njerëzve me besim të ndryshëm.
Që vendi të begatohet, që paqja të mos rrezikohet, ta festojmë edhe këtë Kurban Bajram si e kemi festuar gjithmonë, duke lënë mënjanë mëritë, duke iu larguar sherreve, duke u afruar, duke u respektuar, duke u vëllazëruar, duke u ndihmuar."

Kryetari i PD, Basha uron nga Kavaja: Të hiqet dorë nga fantazmat e së shkuarës
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka zgjedhur jo krejt rastësisht Kavajën për të uruar festën e Kurban Bajramit. "Gëzuar Kurban Bajramin! Mbarësi, dashuri e mirësi sjelltë për çdo shqiptar, për çdo familje shqiptare, e për të gjithë kombin tonë kudo". Nga qyteti i trazuar me thyerjen e obeliskut, simbol të demokracisë, lideri opozitar uroi më shumë paqe e harmoni dhe jo kthim të fantazmave të së shkuarës. "Me rininë kavajase, me shqiptarët e lirë të djathtë e të majtë do të dimë të ndalim prapë të keqen, do të dimë ta arkivojmë në analet e së shkuarës, do të dimë të përqafojmë të ardhmen". Basha nuk kurseu kritikat për qeverinë që sipas tij po gropos ekonominë dhe vendin. "E keqja i ka këmbët e shkurtra dhe kohën e shkurtër. Me ndihmën e Zotit të madh, me ndihmën e qytetarëve shqiptarë që duan përparimin, që nuk duan konfliktin, nuk duan përplasjen, nuk duan shkatërrimin do të dimë të arkivojmë edhe atë pjesë të së kaluarës që sot na rikthehet me petkun e rrentë të së ardhmes", tha Basha.
Kreu i Kuvendit, Meta uron besimtarët për festën e Kurban Bajramit
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e Festës së Kurban Bajramit. Ai zhvilloi vizita në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve. Duke folur për mediat, z. Ilir Meta tha se vlerat e kësaj dite na nxisin për më shumë falje dhe tolerancë. "Me këtë ditë mjaft të rëndësishme, jo vetëm për besimtarët myslimanë, por për të gjithë qytetarët tanë, dua dhe unë të shpreh urimet më të mira për mesazhet dhe për vlerat e kësaj dite të cilat na nxisin për më shumë falje dhe tolerancë, për më shumë mirëkuptim, për të bërë mirësi dhe për të zhvilluar një solidaritet më të madh me njëri-tjetrin, e sidomos me të gjithë ata qytetarë që ndjehen më në nevojë dhe që kanë nevojë për më shumë mirësi dhe solidaritet", tha z. Meta. Kryetari i Kuvendit u shpreh se në këtë ditë jemi të gjithë krenar për bashkëjetesën dhe për harmoninë e shkëlqyer fetare.

Shkodra në festë, besimtarët falin namazin në xhaminë e madhe të qytetit

Që në orët e para të mëngjesit të së shtunës, besimtarët muslimanë të Shkodrës i janë drejtuar xhamive të qytetit për të marrë pjesë në ceremoninë e Kurban Bajramit të këtij viti.
Pas faljes së namazit, nën drejtimin e imamit të xhamisë së madhe "Ebu Bekër", imami Edmir Plaku ka nisur programin e kësaj dite të begatë e festive. Ai ka shpjeguar simbolikën e Festës së Kurban Bajramit dhe ka tërhequr vëmendjen e besimtarëve të pranishëm drejt nevojës për t'u lidhur përherë e më shumë me mësimet e fesë. Në këtë ditë është folur mbi vlerën e kurbanit, mbi domosdoshmërinë e kthimit nga feja dhe besimi, si dhe dobitë dhe rëndësia e haxhit, si një ndër shtyllat kryesore të fesë islame.