VLORË - Dy pjesëtarë të një familjeje kanë vdekur mbrëmë në Vlorë, kur makina ra në gropën e një pallati në ndërtim e sipër. Errësira, balta dhe shpejtësia e makinës kanë bërë që ajo të rrëshqasë në një lartësi të madhe duke rënë nga rruga në themelet e një pallati në ndërtimin, që s'kishte anësore mbrojtëse.





Ngjarja ndodhi në zonën e Ujit të Ftohtë, në vendin e quajtur kodrat te Kalaja. Një automjet tip golf me katër anëtarë të familjes Haskaj në të, ka rrëshqitur teksa po udhëtonin në aksin që lidh kodrën e Ujit të Ftohtë me rrugën kryesore. Për pasojë ka gjetur vdekjen 73 vjeçari Zenel Haskaj si dhe janë aksidentuar rëndë djali i tij dhe nusja e djalit tjetër. Ndërsa nipi 10 vjeçar ka shpëtuar mirë, pasi ka dalë nga makina gjatë rrokullisjes. Por fatkeqësisë i shtohet një tjetër aksident.





Ngjarja u mësua shpjet nga familjarët dhe banorët e zonës dhe nusja e djalit të viktimës duke nxituar të shohë çfarë ka ndodhur ka rënë edhe ajo në gropën e pallatit duke gjetur vdekje e menjëhershme. Mësohet se 42 vjeçarja, kishte pasur bashkëshortin në makinën që u aksidentuar.