Bilishti Sport e Pogradeci do të luajnë edhe sezonin e ardhshëm, sërish në Kategorinë e Parë, duke shuar shpresat e rivalëve nga Kategoria e Dytë, Vlora e Mamurasi, edhe pse presidentët e dy klubeve më inferiore kishin vendosur shpërblime të mëdha për të realizuar ëndrrat e tyre. Ky ishte verdikti i ndeshjeve të plejofit. Pas barazimit 2-2 në kohën e rregullt e shtesat, Bilishti arriti të mposhtë 5-3 nga pika e bardhë Vlorën e Kategorisë së Dytë. Dramatike ishte dhe ndeshja tjetër e plejofit midis Pogradecit (Kategoria e Parë) e Mamurrasit të Kategorisë së Dytë. Edhe në këtë takim u deshën gjuajtjet e penalltive, pasi takimi përfundoi 1-1. Një seri e gjatë e jashtëzakonshme 11-metrash u gjuajtën në këtë takim, të fituar nga Pogradeci me rezultatin 10-9.