Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka theksuar se është duke u bërë një paragjykim i keq kundër Afrikës së Jugut si nikoqir i Kampionatit botëror.

Brengat rreth organizimit të garës ishin ngritur pas sulmit terrorist ndaj autobusit të Togos në Angola muajin e kaluar. Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, ka thënë se nuk do të udhëtojë në Afrikën e Jugut për shkaqe sigurie. Hoeness po ashtu kritikoi vendimin e zhvillimit të Kampionatit botëror kudo në Afrikë, por Blatter ka reaguar ashpër.

“Mendoj se është absurditet të kombinohet ajo çka ndodhi në Angola, një sulm terrorist për arsye politike, dhe ta përziejmë me Kampionatin botëror në Afrikën e Jugut”, tha ai.

“Në Gjermani njerëz si Uli Hoeness dhe përfaqësues të tjerë të ligave profesionale kanë thënë se nuk do të shkojnë atje. Por, çdo vit 11 milionë turist vizitojnë Afrikën e Jugut dhe asnjëri nuk na ka thënë se nuk duhet shkuar atje”, shtoi ai.

Blatter beson se kritikët duhet të kenë më tepër respekt dhe t’i japin rastin Afrikës së Jugut të dëshmohet se mund të jetë nikoqir i suksesshëm i garës. “Është paragjykim anti-afrikan. Mendoj se ende ekziston e ashtuquajtura ‘botë e vjetër’, ndjenjë pse Afrika duhet të organizoj një Kampionat botëror. Nuk ka respekt”, përfundoi ai.