Duhej të ishte Shtutgarti, normalisht, por nuk dihet pse Gjermania zgjodhi të kishte finalen e Superkupës mes Bajernit dhe Dortmundit.
Në “Signal Iduna Park” të Dortmundit fitoi pikërisht skuadra vendase, 4-2, në duelin e parë mes trajnerëve Jyrgen Klop e Pep Guardiola.
Nënkampionët e Europës kaluan me sukses testin e parë të frikshëm, ndonëse bëhet fjalë ende për një ndeshje vere. Marko Rojs kaloi të vetët në epërsi shumë shpejt.
Më pas, bavarezët bënë presion dhe Xherdan Shaqiri pati disa mundësi për të barazuar.
Në pjesën e dytë, Arjen Roben nuk fali. Holandezi shënoi golin e tretë me peshë ndaj Dortmundit, pas atij në Kupën e Gjermanisë dhe në finalen e Championsit.
Por, kundërgoditja ishte e menjëhershme, madje e dyfishtë. Daniel Van Bujten shkaktoi autogol 100 sekonda më vonë.
Pa kaluar ende 60 sekonda të tjera, Ilkai Gyndogan shënoi në mënyrën e tij elegante.
Një gol i të përhershmit Roben i dha pak shpresë të besuarve të Guardiolës, ndonëse nuk mjaftoi.
Trajneri katalanas disa herë u shfaq i nervozuar.
Mbrëmjen e mbylli ai që e çeli, Marko Rojs, me golin e katërt vendas.
Guardiolës iu desh të priste pak derisa Klop të mbaronte festimet e t’i jepte dorën.
Superkupa pra është e Dortmundit dhe e gjithë Gjermania pret një Bundesligë shumë më të fortë sesa vjet kur Bajerni e vrau kampionatin që në fillim.