TIRANË- Nënkryetari i Bashkisë Eno Bozdo ka akuzuar kryeministrin Rama se ka urdhëruar bllokimin e punës për bulevardin e ri. Sipas tij ky akt është vazhdim i luftës politike të Ramës ndaj Bashkisë së Tiranës.
“Vetëm një ditë pas shpalljes antikushtetuese të vendimit të qeverisë, për zgjerim të kompetencave të INUK nga Gjykata Kushtetuese, në një akt të paprecedentë antiligjor e hakmarrës, Edi Rama ka urdhëruar mercenarët e tij të tritolit të bllokojnë veprën më të rëndësishme infrastrukturore të Tiranës, bulevardin e ri.
Ky është akti më i fundit i luftës politike që Edi Rama i ka shpallur Bashkisë së Tiranës. Paaftësinë dhe xhelozinë e tij për projektet e Tiranës, Edi Rama po e shpreh duke bllokuar edhe shërbimet më jetike për qytetarët, siç ishte bllokimi për dy muaj i buxhetit të Bashkisë, bllokimi i shpronësimit për varrezat, bllokimi i kredive për të pastrehët e vendime të tjera që bien në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Tiranës.”- u shpreh Bozdo.
Ai i bëri apel komisionarit Stefan Fyle që të mbajë shënim këtë zhvillim që sipas tij është antiligjor. “Edhe sot, në ditën kur komisioneri për zgjerim, Stefan Fule po zhvillon takimin e nivelit të lartë, ku flitet e bëhet thirrje për gjithpërfshirje e bashkëpunim, Edi Rama vazhdon të tregojë vullnetin e tij të vërtetë dhe aftësinë e tij të vetme për konfliktualitet, luftë politike, daljen mbi ligjin dhe shkeljen e ligjit dhe vendimet e gjykatave, për hir të axhendës së tij të konfliktit politik.
Duke përfituar nga prania e tij në Tiranë, i bëjmë thirrje zotit Fule, ta mbajë shënim këtë zhvillim domethënës për natyrën e tij antiligjore dhe qëllimin e tij konfliktual me Bashkinë e Tiranës. Ky vendim flet më shumë sesa dhjetëra fjalë të bukura dhe të pavërteta që Edi Rama shkëmben rëndom në praninë e tij dhe vizitorëve të tjerë në vendin tonë.”- theksoi Bozdo.
Nënkryetari i Bashkisë i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që të zbatoje vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “I kërkojmë Edi Ramës të zbatoje vendimin e Gjykatës Kushtetuese; të tërheqë mercenarët e tritolit nga bllokimi i veprave publike të Bashkisë së Tiranës; të heqë dorë nga konflikti politik dhe veprimet antiligjore kundër Bashkisë së Tiranës në veçanti dhe pushtetit vendor në përgjithësi, që dëmtojnë interesat e të gjithë qytetarëve pa dallim, përndryshe do të përballet me pasojat dhe përgjegjësitë që i takojnë vetëm atij.”- u shpreh Bozdo.
(a.n/BalkanWeb)