Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kërkuar arrestimin e pronarëve dhe zyrtarëve të kompanisë ajrore Belle Air, e cila të dielën njoftoi ndërprerjen e fluturimeve. Monopoli Belle Air plasi si flluskë sapuni. Sapo ka lajmëruar falimentimin, shkruan Braçe në rrjetet sociale. Borxhe pa hesap në të gjithë Europën, borxhe ndaj zyrës së tatim-taksave në Tiranë, borxhe ndaj aeroportit, borxhe ndaj kredituesve privatë, shkruan Braçe, duke nënvizuar se kompania gënjen kur thitë se është në vështirësi prej bllokimit të llogarive. Kjo është tipike e larjes së duarve, huazuar nga filozofia e një politikani të njohur, Lulëzim Basha quhet, shprehet deputeti socialist, njëkohësisht kryetar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë. Sipas tij, qeveria ka dy javë që mundohet të krijojë çdo mundësi shpëtimi për të, thjesht dhe vetëm nisur nga interesi i qytetarëve. Pronari dhe zyrtarët e kësaj kompanie duhen vënë nën hetim. Pse jo, duhen arrestuar, shkruan Erion Braçe.