POGRADEC



POGRADEC– Burimet policore kanë thënë për gazetën “Shekulli “ se dy ditë më parë është braktisur nga nëna e saj një foshnjë e porsalindur. Foshnja kishte lindur më datën 28 mars dhe vetëm një ditë pas lindjes së foshnjës nga një nënë 27 -vjeçare e cila ishte regjistruar në maternitetin e qytetit me emër të rremë Alma Ismail Spaho. Sipas personelit mjekësor, lindja e foshnjës ka qenë krejt normale dhe foshnja është i seksit mashkull. Nëna e foshnjës nuk ka shfaqur asnjë shenjë madje nuk ka treguar as shqetësimin më të vogël. Nëna e rreme ka ruajtur momentin kur infermieret e shërbimit janë larguar dhe është zhdukur papritur nga dera e prapme e maternitetit. Ata kanë pritur që të kthehet nëna e foshnjës por më kot. Pasi kanë kaluar disa orë që ishte zhdukur nëna, është njoftuar policia, e cila ka filluar hetimet. Burimet e policisë pohuan se deri tani është verifikuar se emri ishte i rremë. Policia ka filluar kërkimin e nënës dhe po heton në disa pista. Dyshohet që fëmija të jetë lindur nga ndonjë lidhje jashtë martesore ose pamundësia ekonomike e nënës për ta rritur foshnjën. Mjeku pediatër i maternitetit, Nexhmi Elezi, ka thënë që foshnja ka shëndet shumë të mirë dhe po merren masa për ushqyerjen e tij. Ky është rasti i tretë që në këtë maternitet braktisen foshnja.