Trajneri Branko Ivankoviç mund të jetë trajneri i ri i Shqipërisë. Kroati ishte dje në Tiranë, së bashku edhe me ish-trajnerin e Dinamos e Kroacisë U-21, Zllatko Daliç, për të biseduar në hotel “Tirana Interntional” me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Në takim ka qenë edhe fizioterapeuti Dejan Rexhaj. Në fakt, sipas gazetarit sportiv shqiptar të “Lajmi”-t në Maqedoni, Reshat Ibrahimi, trajneri kroat Branko Ivankoviç, të mërkurën ka vizituar Shkupin. Ai në zyrat e FFM-së është pritur nga presidenti i Federatës së futbollit, Harallampije Haxhiristeski. Sipas zëdhënësit të FFM-së, Zoran Nikollovski, kroati Ivankoviç është shprehur i gatshëm të marrë drejtimin e përfaqësueses së Maqedonisë në futboll. “Ivankoviçi tha se në adresë të tij kanë ardhur edhe disa oferta nga tri kombëtare tjera dhe dy skuadra evropiane, por se do të dëshironte të vinte si trajner, sepse e njeh mirë ekipin e Maqedonisë. Tani gjithçka është në duart e Këshillit Drejtues (KD) të FFM-së, të cilët me siguri do të takohen të mërkurën tjetër dhe do vendosin, nëse janë për trajner të huaj ose vendor”, - deklaroi për “Lajm”, Nikollovski. Trajneri kroat, Ivankoviç në Shkup ishte së bashku me Zlatko Dalic, ish-trajner i Dinamos nga Tirana dhe fizioterapeutin Dejan Rexhaj. Të kujtojmë se Kombëtarja e Maqedonisë për tre vite të plota (2006-2009) është drejtuar nga trajneri slloven, Sreçko Katanec. Mediat kroate të martën kanë shkruar se përveç Maqedonisë trajneri Ivankoviç ka mundësi të shkojë deri në Shqipëri, për shkak se edhe Shqipëria është e interesuar për të. Takimi u realizua në Shqipëri, dhe ndoshta Ivankoviç do të jetë trajneri që do të pasojë Ari Hanin në bankinën e lënë bosh prej holandezit.







30 Prill 2009