Mbrojtja e të pandehurit David Braun, i akuzuar për marrëdhënie homoseksuale me të mitur, ka akuzuar dje dy të pandehurit që po gjykohen paralelisht nga një tjetër trup gjykues, Dino Kristodoulu e Robin Arnolds, si abuzuesit me fëmijët. Gjatë deklarimeve përfundimtare të palës mbrojtëse, avokatja e të pandehurit jo vetëm kërkoi pafajësi për klientin e saj, por në të njëjtën kohë ngriti pretendimin edhe për dëmshpërblim për kohën që e kanë mbajtur në burg. Sipas saj, klienti i saj nuk ka abuzuar me të miturit, por vetëm u ka krijuar një strehë atyre për të qëndruar, duke qenë se shumica ishin jetimë ose në gjendje mjaft të keqe ekonomike. Akuzat kanë rënë sërish mbi dy të pandehurit e tjerë, për të cilët procesi gjyqësor është në fazën e dëshmive të fëmijëve të dëmtuar, duke deklaruar se “Dino Kristodoulu e Robin Arnolds kanë abuzuar seksualisht me fëmijët. David Braun u ka siguruar një strehë atyre dhe i ka përzënë dy bashkëpunëtorët e tij kur ka mësuar për abuzimet seksuale në qendër”. Avokatja Gjystina Golloshi ka parashtruar një sërë arsyesh pse Braun nuk mund të abuzonte dhe nuk ka abuzuar me fëmijët, gati të njëjtat që ka parashtruar gjatë gjithë maratonës së këtij procesi gjyqësore. Madje, avokatja ka hedhur sërish idenë e impotencës së David Braun. Një seancë më parë, akuza e deklaroi fajtor të pandehurin Braun, ish-drejtues i qendrës “Fëmijët e tij”, duke kërkuar dënimin e tij me 20 vjet burg për abuzim seksual me dhunë me 8 të mitur. I pandehuri akuzohet se së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij kanë ushtruar metoda të ndryshme për të arritur qëllimin, duke abuzuar me fëmijët, të cilët i lidhnin me litar apo u fusnin shuka leckash në gojë, për të mos u dëgjuar ulërimat e tyre. Vetë fëmijët me anë të video-konferencave kanë dëshmuar tmerrin e përjetuar në atë qendër, madje duke i identifikuar me emër abuzuesit e tyre.





Deklarimet e mbrojtjes





Avokatja mbrojtëse e David Braun i ka bërë të ditur dje trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Gerd Hoxha, se klienti i saj do të kërkonte edhe dëmshpërblim për mbajtjen në mënyrë të padrejtë në burg për 29 muaj, çka sipas saj, do t’i shkaktonte edhe dëm të madh ekonomik shtetit. “Xhakova Padiken ka qenë edhe paditësja për abuzimet në qendrën “Fëmijët e tij”. Në kallëzimin e saj ajo bënte me dije se në qendër ishin kryer abuzime, por nuk akuzonte asnjë person”, - ka nisur të shpjegojë dje avokatja Golloshi. Pas mësimit të këtij fakti, mbrojtja i ka bërë me dije gjykatës se i pandehuri Braun ka ekzaminuar vetë fëmijët në klinikën ABC, ku disa nga fëmijët dolën edhe të abuzuar. Më pas, ajo ka shtuar se i pandehuri kishte vënë në dijeni Alan Mojër, ish-oficer i PAMECA-s. Duke marrë një nga një të gjitha rastet, mbrojtja ka sjellë në vëmendje disa fëmijë. Një prej tyre ishte i mituri Eduart Rexhepi, 11 vjeç, i cili kishte shfaqur edhe shenjat e para të pjekurisë seksuale. “Davidi e mori Edin në dhomën e tij dhe e mbante afër. Ai e këshillonte që të mos ngacmonte fëmijët e tjerë. Vetëm pak ditë më vonë, Edi do të prekte një vajzë 9-vjeçare”, - ka vazhduar avokatja. Në konkluzionet e saj ajo i ka bërë me dije gjykatës se një nga fëmijët e abuzuar ishte edhe Denis Aliu, i cili kishte rënë nga kati i tretë. Për këtë fëmijë, mbrojtja ka bërë me dije se i pandehuri e kishte marrë atë kur ishte vetëm 18 muajsh. Vetë fëmija, sipas mbrojtjes, i ka shkuar disa herë në krevat klientit të saj, pasi ai ngrihej shpeshherë natën, por ai nuk ka abuzuar asnjëherë me të. “Robin Arnold dhe Dino Kritodoulu kanë abuzuar me fëmijët. Ata që largohen dhe fshihen janë abuzues. Po të kishte abuzuar Davidi, nuk do t’i kishte dërguar fëmijët në klinikë për t’i ekzaminuar, por do të mundohej që të fshihej”, - sqaroi mbrojtja e të pandehurit David Braun. Në fund ajo i ka bërë me dije gjykatës se klienti i saj ishte mbajtur për 29 muaj me radhë në qeli, për këtë qëndrim të padrejtë, kur ai të fitojë pafajësinë, do t’i kërkojë shtetit dëmshpërblim. Sipas saj, David Braun duhet të lirohej nga qelia, pasi ishte peng i prokurorisë, e cila kishte bërë lojë numrash me nenet, ndërsa nuk ka provuar akuzën. David, sipas saj, nuk është person i rrezikshëm, nuk ka kryer asnjë abuzim me fëmijët, por ka qenë një baba për ta. Seanca e radhës do të zhvillohet në datën 5 nëntor, ku të dyja palët të replikojnë me njëra-tjetrën, ndërsa gjykata më pas do të shpallë edhe vendimin e saj përfundimtar.