Të tjera rreth shkrimit VIDEO

TIRANE- Marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE ka qenë tema në fokus të emisionit “5 Pyetjet nga Babaramo” mbrëmjen e sotme. E ftuar në studion e ‘”A1 Report”, deputetja e PD-së Majlinda Bregu, ish-ministre e Integrimit, është ndalur tek çështjet kryesore që lidhen me këtë proces.
 
Ndarja e politikës shqiptare edhe në festimet për marrjen e statusit, si dhe debatet se “Kujt i takon merita e marrjes se statusit” ka qenë një tjetër pikë ku është fokusuar biseda, por deputetja Bregu tha se pritja e zhvilluar sot nga Presidenti Nishani i mblodhi të gjithë bashkë. Ndërsa tha se nuk duhet të ishin organizuar 3 ceremoni, por vetëm një nga presidenti Nishani.

Duke u ndalur tek zgjedhjet në PD, deputetja Bregu shprehu qëndrimin e saj pro përfshirjes së deputetëve në këtë proces.

"Ju e dini që në bazë të udhëzimit deputetët nuk janë të përfshirë në këtë proces. Do kisha preferuar që deputetët të kishin qenë të përfshirë pasi e njohin zonën, anëtarët e partisë, ata që i kanë mbështetur. Di që sot PD ka një anëtarësi prej 110 mijë anëtarësh, dhe dua që PD të vazhdojë të mbetet aseti i vlerave mbi bazën e së cilës u krijua. Boshtet ndonjëherë edhe mund të lëkunden", tha Bregu.

 Ish-ministrja e Integrimit u ndal ndërkaq edhe në 5 prioritetet që rekomandon BE dhe mënyrën se si duhet të kryhet reforma në drejtësi, dhe jo vetëm, duke vënë theksin tek gjithpërfshirja, në mënyrë që sipas saj "të realizohen reforma të qëndrueshme".
 
Pse politika e ndarë edhe për festimet për statusin?
Siç e patë sot kemi qenë të gjithë bashkë në pritjen e organizuar nga presidenti Nishani. Nuk e quaj bojkot. Besoj se duhet të kishte patur një protokoll me festime në një ditë, pra tek presidenca. Edhe Rama ndryshoi qëndrim. Ky vendim që u mor para një jave ishte konfirmuar në 10 tetor të 2013. Ishin vetëm tre ligje për t’u votuar, dhe qeverisë së sotme nuk i vjen mirë të kujtohen këto tre ligje. Ne jemi bllokuar me arsye pa arsye politike.
 
Ju thoni se opozita e asaj kohe vonoi procesin duke votuar tre ligjet. Mos ka qenë një qëndrim i Komisionit që Shqipëria të votonte 3 ligjet?
Besoj se votimi i 3 ligjeve në maj të 2013 u bë vetëm pasi u mor garancia për statusin e vendit kandidat. Ishte e qartë atëherë se nuk kishte shans për marrjen e statusit të vendit kandidat. Statusi ishte një vendim i miratuar në kohë, dhe i vonuar në kohë. E ka merituar Shqipëria dhe shqiptarët me kohë, por u vonua në kohë për arsyet që dihet. Dikush mund të mendojë se kjo situatë ka qenë e rëndë, por përpjekjet e bëra dhanë rezultat. Në Shqipëri nuk kërkohet të zbatohet çështje që janë në rend të ditës së ndarjes së të majtës dhe të djathtës evropiane, por në respektim të ligjit dhe kushtetutës, nuk mund të ndahen. Ndaj u kukua t’i jepej më shumë kohë kësaj qeveria. Kjo qeveri ka një fat të madh, nuk ka përballë një opozitë për të vendosur një kusht, apo për të bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE. Përkundrazi kemi qenë gjatë gjithë kohës mbështetës. Integrimi duhet domosdoshmërisht të shihet si prioritet ndërkombëtar. Ndaj theksi vihet të gjithëpërfshirja, vetëm kështu mund të ketë reforma të qëndrueshme.
 
Ju mendoni se 5 vendet e BE e refuzuan statusin e vendit kandidat në dhjetor, Rama thotë për shkaqe të brendshme të tyre, ju e mendoni ndryshe?
Në këtë pikë nuk mund të them se nuk e shoh çështjen siç e ka artikuluar Rama në dhjetor. Por nuk jam dakord që çështja të shihet plotësisht jashtë nesh. Ky proces nuk do kishte qenë kaq i vonuar po të mos kishim qenë ne të vështirë dhe jo të dashur me njëri-tjetrin. Nëse Shqipëria vendos të kalojë bashkë në një axhendë të përbashkët, duke përfshirë të gjitha vlerat evropiane, nuk do jetë e lehtë. Sado euroskeptikë, apo profesionistë të lodhur nga zgjerimi, askush s’mund të thotë jo, nëse Shqipëria i plotëson hapat e duhura. Duhet të realizohen reformat e kërkuara.
 
Cilat janë 5 prioritetet?
Janë 5 detyrime, administrata publike profesionale, lufta ndaj krimit të organizuar, ndaj krimit, ndaj korrupsionit, reforma në drejtësi, dhe respektimi i të drejtave të njeriut. Këto janë pikat kyçe ku duhet të fokusohet jo vetëm kjo qeveri, por edhe qeveria që do të vijë. Testimi direkt fillon me nisjen e negociatave për realizimin e këtyre reformave. Hapja e negociatave mund të ndodhte edhe nesër. Duke pasur nevojën për ndryshime të rëndësishme në vendin tonë, nuk besoj se kjo kohë do jetë e shkurtër. Dy kapitujt e parë me të cilin nisin negociatat janë bisedimet për drejtësinë dhe për sigurinë. Synohet një përafrim i legjislacionit, që është një proces që ka vite që po tentohet dhe po realizohet. Procesi i negociatave do të ketë garanci në terren për të realizuar reformat. Sfidë e madhe edhe kapitulli i sigurisë ushqimore.

Si ka qenë përkrahja nga vendet e BE?
Shqipëria ka gëzuar mbështetje të vendeve anëtare, ka pasur anëtarë të rëndësishëm që kanë lobuar për marrjen e statusit të vendit kandidat. Shqipëria nuk ka marrëdhënie problematike bilaterale me ndonjë vend, edhe çështja e CEZ u superua.
 
Në kohën kur ishit në Bruksel a ndjenit nëntekste mes reshtave se BE është një grup kristian, dhe ne po bëjmë një përpjekje “alla Sizifi” për t’u anëtarësuar atje?
Procesi i integrimit ka treguar se realizimi i detyrimeve, rekomandimeve, hapave, mund të realizohet. Nëse është ndjerë apo jo diçka të tillë, mund të jetë diçka personale. Dëshira e Shqipërisë për anëtarësim në BE, nuk le hapësira për këtë. Liberalizim i vizave ishte ajo çka një pjesë e mirë e shqiptarëve e kishin dëshiruar. Por dëshira e shqiptarëve për integrimin europian nuk u ndal aty. Profilin e humanizmit që kanë shqiptarët sot në Europë nuk mund ta mohojë askush.
 
Në këtë situatë kaq të polarizuar politike, kjo ju krijon probleme në grupin parlamentar?
Përpiqen të tregohem diskrete, se unë nuk mund të kontrolloj etikën e askujt. Është një shprehje e së pandërgjegjshmes së Ramës, për të mos falënderuar dot Berishën, gjen një mënyrë për t’iu afruar përpjekjeve të bëra më parë. Kjo është një mënyrë për t’i njohur kontributin qeverisë së mëparshme. Kjo do të thotë se Shqipëria nuk ka qenë në nivelin 0 dhe nuk e ka patur fajin Saliu.
 
Edhe komisionerë të BE, e kanë pranuar se Berisha u nxitua kur paraqiti aplikimin?
Kjo nuk ishte një rrufe në qiell të kaltër as për Çekinë dhe as për vendet anëtare, kishim rënë paraprakisht dakord. Mendoj se kemi bërë shumë mirë. Për gati 6 muaj opozita e asaj kohë qëndroi larg parlamentit për një kauzë që edhe më pas rezultoi pa një thelb. Nuk pretendoj që të njoh shumë se nuk ka qenë pjesë e portofolit tim privatizimi i KESH. Di që plotësonte kriteret për privatizimin, dhe u vijua. Nuk besoj se Shqipëria ka luksin të shohë me dyshim dëshirën apo vullnetin, kur ka edhe investitorë të huaj me dëshirë për të investuar në Shqipëria. Dhe oferta e CEZ ceke besoj se në atë moment ka qenë oferta më e mirë. Por fakti që kontrata nuk u realizuar me sukses është një tjetër çështje. Është e rëndësishme që në proces të zbatohen të gjitha hallkat dhe të realizohen kontratat sipas ligjit. Po të mos kishim paraqitur aplikimin në 2009, me gjithë ato që ndodhën më pas do ta kishim patur të vështirë.

Si duhet të kryhet reforma në drejtësi?
Jam e bindur se përbuzja e atyre që janë në sistemin e drejtësisë sot, nuk them se ka njerëz të pakorruptuar, por ka edhe njerëz të ndershëm. Reforma në drejtësi nuk zgjidhet me një përgatitje drafti të hedhur në tryezë. Duhet të ketë diskutime paraprake. Reforma në drejtësi ka nisur me kohë përpara. Janë shtruar elementët dhe janë vendosur baza për t’i dhënë fund përfshirjes së politikës. Shkolla e magjistraturës dhe emërimi i gjyqtarëve të shkallës së parë, shkëput nga “tradita” e emërimit sipas përkatësisë politike.
 
Lidhur me situatën aktuale në PD, krijohet përshtypja se PD ka dy kryetarë, Berishën dhe Bashën. A shihni ju ndryshime në qëndrimet e tyre? Përshembull edhe sa i takon qëndrimit të tyre lidhur me ndërhyrjen e policisë në Lazarat. Nëse Berisha e përjashton përfshirjen e PD në reformën territoriale, Basha thotë se do marrë pjesë.
Kryetari i PD është ai i zgjedhur pas kryetarit historik të PD. Për ndjesi personale besoj se për këto që të ishte zgjedhur kryetar për PD, pas Sali Berishës, jeta nuk do kishte qenë e lehtë si kryetar, pasi duhet të krahasuar me një figurë që ka qenë historia e PD për gjithë këto vite. Duhet të krahasohesh me një njeri që ka energji dhe një vullnet për të punuar për të patur zili. Besoj që të gjithë kanë predispozitën që PD të konsolidojë strukturat në mënyrë që jo vetëm të jetë e mirë si opozitë, por edhe rruga për të ardhur në pushtet të jetë e shkurtër dhe konstruktive. Ndaj e përsëris se është e vështirë të bësh dallime në qasje. Besoj se mirënjohja është një element që nuk duhet injoruar, as në politikë, as në jetën e përditshme. Ne po mundohemi që të përshtatim veten në realitetin e ri të opozitës. Kjo është një opozitë që vjen me shumë elementë, dhe me një mazhorancë që është shumë arrogante.
 
Basha është një kopje soft e Berishës, apo po krijon profilin e tij?
Për mua ka rëndësi që zoti Basha të jetë një figurë që të përfaqësojë atë që është PD sot, dhe të krijojë mundësi për të sjellë në pushtet PD në qeveri brenda një kohe sa më të shkurtër. Kolltukët janë për të gjithë, edhe ata që janë të rinj në PD, e s’ka si të mos jetë për Berishën. Një vizion i gjatë që i duhet PD, është të gjithë bashkë, mendjehapur, dhe për të qenë produktivë.
 
Një vlerësim për procesin e zgjedhjeve në PD, si e gjykoni?
Ju e dini që në bazë të udhëzimit deputetët nuk janë të përfshirë në këtë proces. Do kisha preferuar që deputetët të kishin qenë të përfshirë pasi e njohin zonën, anëtarët e partisë, ata që i kanë mbështetur. Di që sot PD ka një anëtarësi prej 110 mijë anëtarësh, dhe dua që PD të vazhdojë të mbetet aseti i vlerave mbi bazën e së cilës u krijua. Boshtet ndonjëherë edhe mund të lëkunden.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)