20/09/2011  Seancë dëgjimore në Kuvend për 12 prioritetet e BE-së


Një muaj para se të jepet opinioni i radhës i Komisionit Europian për përmbushjen nga Shqipëria të 12 rekomandimeve për statusin e vendit kandidat në BE, Komisioni i Integrimit zhvilloi një seancë dëgjimore me ministren e Integrimit Majlinda Bregu. Por raporti i prezantuar nga ministrja Bregu nuk ka kaluar pa debate dhe kritika nga deputetët e opozitës, anëtarë të këtij komisioni. “Lidhur me prioritetet që lidhen me çështjen e funksionimit të zgjedhjeve dhe atë të përmbushjes së hapave themelorë në reformimin e administratës, në raportin përfundimtar të OSBE–ODIHR-it, ku thuhet se punonjësve të administratës civile në një ministri në Tiranë iu kërkua nga departamenti i burimeve njerëzore të marrin pjesë në mitingjet e PD-së dhe veprimtaria e tyre u kontrollua, kjo është ministria juaj, zonja Ministre. Nëse doni ju personalisht të ndihmoni procesin e integrimin në BE, në adresimin edhe të prioriteteve që lidhen me luftën e krimit të organizuar, bëni mirë të rishikoni pozicionin tuaj në drejtimin e Ministrisë së Integrimit”, - tha në fjalën e tij deputeti Taulant Balla.


I menjëhershëm ishte reagimi i Bregut, e cila theksoi se dialogu politik mbetet prioritet për plotësimin e rekomandimeve të BE-së dhe për përshpejtimin e procesit të integrimit të vendit në të. “Në rast se ju, zoti Balla, e keni ndarë mendjen për të mos votuar dhe na hidhni hi syve me prezencën tuaj dhe vetëm për të bllokuar procesin, besoj se këtë taktikë shumë e kanë kuptuar. Për sa i përket pjesës tjetër, ndaj teje zotëri, që ke kënduar këngët e “xhaxhit Enver” kur “xhaxhi Enver” kishte vdekur, nuk pret njeri të bësh hajër dhe të japësh ndonjë kontribut në procesin e integrimit. Këto janë deduksionet e tua për raportin e OSBE-së, pasi ti e paske gjetur që paska qenë ministria në fjalë, edhe pse nuk e shkruan raporti. Por kam përshtypjen se, kur flet shumë, bën gabime shumë të mëdha, sepse jo të gjithë marrin leje dhe dorën tënde, pavarësisht dhe pse ndonjëri mund të ta varë për interesa të tjera”, - iu kundërpërgjigj Bregu.