Tiranë (start)- Që prej ditës së djeshme në orën 19:00 11 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë hyrë në grevë urie brenda sallave të Kuvendit. Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, nga pozicioni i Zëdhënësit të grevës së urisë, bën me dije se në sallë temperaturat e ambientit janë të ulëta, nuk ka ujë të rrjedhshëm, si dhe është fikur sistemi i ngrohjes në ambientet e Parlamentit.



Gjithashtu, sipas tij, garda nuk lejon që në ambientet e sallës së Kuvendit të ndizen sistemet e ngrohjes. Sipas të njëjtit burim, në sallë ishte instaluar një pajisje që bllokonte celularët, pajisje e cila u gjend nga deputetët e hyrë në grevë. Sipas deklaratës nga LSI-ja, mësohet se është ndërprerë dhe rrjeti i internetit në sallën e Kuvendit, me qëllim izolimin total të deputetëve.



Ndërkohë, deputeti Spartak Ngjela në një deklaratë të tij në media, u shpreh se vendi po hyn në krizë dhe për të vendosur të drejtën legjitime të mbrojtjes së votës së lirë, nuk ka rrugë tjetër përveç pushtimit të shesheve nga qytetarët. Ngjela theksoi se diktatura po dhunon dhe cenon votën e lirë, ndaj protesta duhet të shkojë deri në fund, pasi vota është e shenjtë.