Ekrem Spahia


Gjykata e Tiranës vendosi të dëmshpërblejë zv.ministrin e Mbrojtjes, Ekrem Spahia, njëherësh kryetar i Lëvizjes së Legalitetit, për qëndrimin në qeli dhe në arrest shtëpie për llogari të hetimeve të dosjes 14 shtatori në vitin 1998. Sipas vendimit të Gjykatës, Spahia, aktualisht zëvendësministër i Mbrojtjes, duhet të dëmshpërblehet me një shumë prej 1.7 milionë lekësh për shkak të kohës së qëndrimit në arrest në mënyrë të padrejtë. Gati 14 vjet pas revoltës të shënuar më 14 shtator 1998, pas së cilës Spahiu u mor si i pandehur, Gjykata e Tiranës i dha të drejtë atij për dëmshpërblim. Pak ditë më parë, togat e zeza të Gjykatës së Tiranës pranuan kërkesën e Spahiut për kompensim për burgim të padrejtë. Burime pranë Gjykatës së Tiranës konfirmuan se, referuar vendimit, kërkuesi Ekrem Spahia është dëmshpërblyer me nga 3 mijë lekë çdo ditë qëndrimi në qelitë e paraburgimit, që kapin një total 385 ditë. Po ashtu, sipas Gjykatës, Spahia përfiton edhe nga një mijë lekë në ditë për totalin e 600 ditëve që ai ka qëndruar në masën e sigurisë arrest shtëpie. Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të padisë, thuhet në pjesën shpjeguese të vendimit të Gjykatës. U bë e ditur se Gjykata ka pranuar kërkesën për dëmshpërblim, por nuk ka pranuar një nga pretendimet e kërkuesit që kishte të bënte me mënyrën e llogaritjes së dëmshpërblimit. Çështja gjyqësore, ku palë paditëse ishte Ekrem Spahia, mbante numrin 11631 dhe është regjistruar më 27 prill 2012 në Gjykatën e Tiranës. Palë e paditur në të ishte Ministria e Financave, Dega e Thesarit. Kompensim për burgim të padrejtë, thuhej në objektin e padisë civile të nënshkruar nga zv.ministri Spahia. Shqyrtimi i kësaj kërkese në Gjykatën e Tiranës zgjati pesë seanca. Ekrem Spahia u hetua si një nga pjesëmarrësit në kryengritjen e armatosur në Tiranë pak ditë pas vrasjes së deputetit Azem Hajdari, në vitin 1998. Asokohe, veç konfrontimeve me policinë dhe gardën, grupi i personave të armatosur sulmoi Kryeministrinë dhe mori nën kontroll për disa orë edhe Televizionin shtetëror.

14 shtatori pa vendim

Vendimi për dëmshpërblimin e Ekrem Spahisë është dhënë nga Gjykata ndonëse nuk ka vendim gjyqësor që ta shpallë atë të pafajshëm. Kjo pasi të pandehurit e çështjes 14 shtatori, shtetasit: Ekrem Spahia, Antoneta Malja, Shemsi Prençi, Ilir Zhilla, Alfons Zeneli, Edmond Ymeri e Dritan Zhgjesi, të cilët ishin akuzuar për veprën penale të kryengritjes, nuk janë gjykuar. Në vendimin e Gjykatës së Tiranës thuhet se pasi u paraqit aty, dosja u tërhoq nga Prokuroria. Në seancën gjyqësore të dt. 12.11.2009, Prokuroria ka kërkuar tërheqjen e materialeve të procedimit penal për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme. Tërheqja e akteve të dosjes është bërë për shkak të kualifikimit të veprës nga kryengritje në veprën penale të krijimit të turmave të armatosura dhe vjedhjes me armë. Duke qenë se nga ana e prokurorit është kërkuar tërheqja e akteve dhe nuk jemi përpara rasteve të pushimit apo të pafajësisë dhe akoma nuk është deklaruar i mbyllur shqyrtimi gjyqësor, Gjykata çmon se duhet vendosur kalimi i akteve prokurorit për të vazhduar hetimin e mëtejshëm në lidhje me këtë çështje, thuhet në vendimin e Gjykatës. Aktet kaluan në Prokurori, por ato asnjëherë nuk u paraqitën më në Gjykatë, ndërsa çështjes i kaloi edhe afati i parashkrimit, duke e kthyer akuzën në nul procedural.


ARMAND BAJRAMI