Ministri Bushati pret në takim Drejtorin e Përgjithshëm në Komisionin Evropian Christian DanielssonTIRANË16 Nëntor /ATSH/ Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, priti sot në një takim Drejtorin e Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian Christian Danielsson.

Takimi i nivelit të lartë u zhvillua në kuadër të publikimit të strategjisë së re të zgjerimit të BE-së dhe Raportit të këtij viti për Shqipërinë.

Gjatë takimit, Christian Danielsson theksoi vlerësimin pozitiv të Raportit të Komisionit Evropian për progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e pesë prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim.

Ndërsa, Ministri Bushati falenderoi për vlerësimet realiste të Raportit të Komisionit, duke nënvizuar se "për Shqipërinë raporti është një vlerësim për punën e bërë si dhe një udhërrëfyes për ato që duhet të bëjmë".

Palët evidentuan rëndësinë e posaçme të reformës në drejtësi dhe impaktin e saj mbi luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Danielsson vlerësoi bashkimin e Shqipërisë me qëndrimet dhe vendimet e Bashkimit Evropian në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Unionit, si dhe nënvizoi gjithashtu vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian për rolin e Shqipërisë në nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

"Krahasimi i vlerësimeve të Komisionit Evropian për të gjitha vendet e rajonit tregon se vetëm Shqipëria ka pasur progres në të gjitha fushat e vlerësuara", theksoi Ministri Bushati, duke vijuar se "për ne është e rëndësishme që progresi i njohur nga Komisioni Evropian të shërbejë si një burim energjie për të nxitur angazhimin tonë në objektivin e radhës, hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke siguruar përfitime të qëndrueshme dhe të prekshme për të gjithë qytetarët e këtij vendi".

Danielsson e siguroi Ministrin Bushati për angazhimin e plotë të Komisionit Evropian për arritjen e një progresi të qenësishëm në procesin e integrimit evropian.

Në këtë kontekst, palët evidentuan rëndësinë e koordinimit të hapave të mëtejshëm mes Shqipërisë, Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare deri në marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave.

/f.n/