Tiranë -Debati për buxhetin e bashkisë së Tiranës ka mbërritur në Parlament. Kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, e vlerësoi votimin në Këshillin bashkiak si stalinist. “E keni të pamundur që të merrni pushtetin. kryetari i Bashkisë së Tiranës ka koncept vetëm blerjen e votës. Në rast se e keni të pamundur të mos numëroni votat të paktën sinkronizohuni me Bashkinë e Tiranës,sepse ndryshe i jepni ditët ju si opozitë dhe ndryshe i jep bashkia"-theksoi Patozi në Kuvend.



Ndërsa kryetarja e grupit kuvendor të Partisë Socialiste Valentina Leskaj, theksoi se buxheti i bashkisë nuk është i këshilltarëve por i qytetarëve të Tiranës.



Leskaj e ka konsideruar të pa denjë sjelljen e zëvendësministrit të Brendshëm Ferdinand Poni, i cili drejton këshilltarët demokratë në bashkinë e Tiranës. "Sot prisnim falje për sjelljen e padenje dhe kërcënimet, qe zëvendësministri i Brendshëm beri ndaj kreut të bashkisë", u shpreh Leskaj.



Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi se votimi për buxhetin ishte i pa precedentë. “Nëse Rama do të jetë në kuvend në legjislaturën e ardhshme, do të shohë se si do të votohet buxheti i pestë i PD-së”-tha Topalli.