Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana në një bisedë telefonike në emisionin Rubion të KTV-së, ka thënë se ndeshja Serbi-Shqipëri nuk është ndërprerë shkaku i paraqitjes së dronit me flamur.

Gjatë bisedës, Cana ka thënë se gjyqtari ka ndërprerë takimin shkaku i hedhjes së fishekzjarrëve dhe gjësendeve të forta.

"Loja nuk është ndërprerë shkaku i flamurit. Gjyqtari e ndërpreu shkaku i hedhjes së fishekzjarrëve dhe gjësendeve të forta drejt lojtarëve shqiptarë", ka thënë Cana.

Cana gjithashtu ka shtuar se kombëtarja priste që takimi të vazhdonte deri në fund dhe se çdo gjë do të shkonte në rregull.

"Nuk prisnim të përfundonim ndeshja. Kur kemi arrit në Beograd kemi parë forca të mëdha policie, për të na siguruar një qëndrim të sigurt", ka theksuar ai.

Serbët e politizuan ndeshjen, duke bërë thirrje politike e raciste e banderola, ndërsa thotë se në ato momente vetëm e kanë mbrojtur veten.

"Ne vetëm e kemi mbrojtë veten, i kemi mbrojtur vlerat tona dhe ata kanë pasur përgjegjësi për sigurinë tonë", ka thënë ai.

Duke shpjeguar ngjarjen, ai thotë se do ta rrihte sërish tifozin serb, nëse do të paraqitej nevoja, për të mbrojtur bashklojtarët e tij shqiptarë.

"Xhaka dhe Lila shkuan për të marrë flamurin. Bekim Balaj e mori atë pasi Xhaka dhe Lila u sqaruan me lojtarët serb. Në atë moment e pashë një karrikë duke fluturuar nga një tifoz i cili goditi bekimin. Unë gjithmonë kam pasur për detyrë që të mbroj bashklojtarët e mi. Bashkëkombësit e mi. Nuk munda të toleroj një gjë të tillë. Instinkti vepron normalisht aty dhe unë do të bëja këtë gjest edhe një herë po që se do të paraqitej nevoja", ka thënë Cana.