Në skenën e TKOB sezoni artistik sjell një kryevepër botërore



Carmen, një nga baletet e njohura që vihet në skenat botërore, vjen edhe në Tiranë. Baleti me dy akte do të realizohet në datat 11, 12, 14 dhe 16 prill në bashkëpunim me Balleto del Sud të Leçes, me koreografi të Fredy Franzuttit. Me muzikë të Bizet, Massenet, Charprier dhe Albeniz, pjesa do të vijë nën interpretimin e balerinëve shqiptarë së bashku me solistët e





Balleto del Sud. Carmen do të interpretohet nga Enada Hoxha, për të cilën ky balet nuk është i panjohur. Skenografia realizohet nga Francesco Palma, ndërsa dirigjimi i është besuar Francesco Libettas. Baleti, i cili vjen premierë më 11 prill në TKOB përbën dhe premierën e tretë gjatë këtij sezoni të këtij institucioni. Libreti i baletit me dy akte është ngritur mbi tregimin me të njëjtin titull të Prosper Merimeesë. E veçanta e kësaj vepre është se koreografi Franzutti ka marrë përsipër të realizojë edhe skenografinë e kostumet e këtij baleti. Carmeni, që interpretohet nga Enada Hoxha do të jetë edhe Paola Acosta, Joze është Ervis Nallbani dhe Karlos Moltalvan. Eskamilo interpretohet nga Gerd Vaso dhe Alessandro De Ceglia, Zuniga nga Sokol Zhugri, kurse në rolin e Mikaelës është Ledia Sula dhe Paola Acosta. Në të katër netët, Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operës, e drejton dirigjenti Francesco Libetta. sipër "Carmen" do të interpretohet nga primabalerina Enada Hoxha, e cila këtë eksperiencë e ka provuar edhe në Itali një vit më parë, ku koreografi Manzutti e mori në trupën e tij si soliste, për të interpretuar së bashku me Gerd Vason rolet kryesore të këtij baleti. Konkretisht, së bashku me trupën e kompanisë "Balletto del sud", Enada në rolin e Carmenit dhe Gerdi në atë të toreadorit Eskamilo, interpretuan në skenat e Bolonjës, Leçes e Modenës. Tashmë, ata janë duke u përgatitur që këtë pjesë ta sjellin edhe para publikut shqiptar. Vetë balerina e njohur Hoxha është shprehur për mediat se ndihet mjaft e lumtur që interpreton në këtë vepër dhe se kjo e fundit është një nga ato pjesë ku ajo kishte ëndërruar prej kohësh të ishte e pranishme dhe ta sillte mbi të gjitha para publikut shqiptar. I frymëzuar nga tregimi i Prosper Merimee, Carmen është një histori dashurie, por edhe krimesh. Në një fabrikë cigaresh, Carmen përleshet me një tjetër grua. Për ti ndarë thërrasin Don Jose, i cili dashurohet menjëherë pas saj. I verbuar nga ndjenjat ai e ndjek pas Carmen, e cila duke përfituar nga ndjenjat e tij e shtyn të bëjë një krim. Ndërsa përpiqet të arratiset me të dashurin, Don Jose i pret rrugën dhe e vret me të njëjtën thikë me të cilën kishte kryer krimin e mëparshëm. Që nga fillimi i këtij viti në skenën e TKOB kanë zbritur premiera të mëdha, që janë përcjellë mes duartrokitjesh nga publiku shqiptar. Kështu, kanë ardhur për gjithë admiruesit e skenës teatrore dhe operës, vepra të autorëve e kompozitorëve me famë botërore, nën interpretimin e artistëve të njohur shqiptarë e të huaj, e ndërkohë që e tillë premton të jetë dhe baleti Carmen. Sa i takon operës Rigoleto,  ajo solli për spektatorin një dramë të thellë të pasionit, tradhtisë dhe hakmarrjes. Solistë të njohur të TKOB kanë interpretuar në një nga veprat më mëdha të repertorit klasik botëror, siç është kjo vepër e Xhuzepe Verdit e me libret të Francesco Maria Piave (sipas dramës së Viktor Hygo). Duhet theksuar se nuk ishte hera e parë që kjo vepër ngjitet në skenën teatrore shqiptare, por ky realizim i fundit i saj shënon plot herën e katërt. Në këtë mënyrë kjo dramë ka njohur më parë 3 variante skenike të saj, duke filluar nga viti 1965, në të cilin regjisori Luigj Gurakuqi në bashkëpunim me dirigjentin e njohur Mustafa Krantja e kanë sjellë këtë opera për herë të parë në vendin tonë. Ndërkohë që, Xhilda dhe Rigoletoja i parë kanë qenë bashkëshortët Nina dhe Avni Mula. E ndërkohë që data 11 prill sjell në skenën  e operës një tjetër kryevepër botërore.


 


 


Nga Julia Vrapi






Last Updated on E Enjte, 08 Prill 2010 18:44