BRUKSEL-Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, javën e ardhshme e viziton Serbinë dhe Kosovën, ku pritet të takohet me zyrtarët më të lartë të dy vendeve.

Pas ndërmjetësimit të takimit të kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçic, të hënën në Bruksel, zonja Ashton, niset për vizitë në Beograd dhe Prishtinë, njofton faqja në Internet e Bashkimit Evropian.

Në Beograd, zonja Aashton do të takohet me presidentin Nikollic, kryeministrin Daçic, dhe zëvendëskryeministrin Vuçic, ndërsa në Prishtinë do të ketë takime me presidenten Jahjaga dhe kryeministrin Thaçi.

Para vizitës së saj, Catherine Ashton theksoi se shpreson se “do t’i vazhdoj diskutimet me udhëheqjen e Serbisë dhe Kosovës, me qëllim që të lëvizim përpara me dialog dhe me implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tani. Jam tejet e lumtur ta vizitoj Beogradin dhe Prishtinën, pas vendimeve historike të Këshillit Evropian, për hapjen e bisedimeve për pranim me Serbinë dhe fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim – Asocimit me Kosovën”.

Nesër, më 8 Korrik në Bruksel, mbahet raundi i 3-të i dialogut Kosovë-Serbi.

(d.b/BalkanWeb)