Ngjashmëritë mes Ligës së Kampioneve dhe Europa Ligës të bëjnë të mendosh se dikush ka dashur të bëjë shaka. Nëse sheh ngjashmëritë e dy ndeshjeve, do të konstatojmë se këto rastësi mund të jenë vetëm vepër satanike. Le të flasim me fakte. Në të dyja ndeshjet trofeu u fitua nga skuadrat "mike", pra Bajerni dhe Çelsi, dhe për më tepër, me të njëjtin rezultat, 1-2. Shkojmë te detajet më të hollësishme. Në Europa Ligë, Çelsi shënoi në minutën e 60-të me Tores; në Ligën e Kampioneve, Bajerni shënon në të njëjtën minutë, në të 60-ën me Manxukiç. Në Europa Ligë, Benfika barazon në minutën e 68-të me penallti nga Kardozo. Po kështu edhe në Ligën e Kampioneve, Dortmundi barazoi në minutën e 68-të, sërish me penallti, Gundogan. Finalet kanë ngjashmëri. Të dyja skuadrat që fituan trofeun shënuan golin e fitores në fund të ndeshjes. Çelsi në minutat shtesë me Ivanoviç dhe Bajerni në minutën e 89-të me Roben. Kaq e rastësishme, kaq e vërtetë! Por ai që ka thyer "tersin" duket se është Arjen Roben i Bajernit, i cili, pasi kishte humbur 3 finale (2 në Ligën e Kampioneve dhe 1 në Kupën e Botës), më në fund ia del mbanë, madje duke qenë protagonist i dy golave. Duket se edhe Zotat më në fund kanë ndihmuar holandezin, por edhe Bajernin, teksa kishte humbur 5 finale më parë, edhe pse ka fituar tashmë 5 herë Ligën e Kampioneve. Por bavarezët kanë edhe një finale tjetër për të luajtur, atë të Kupës së Gjermanisë, finale që do të luhet më 1 qershor kundër Shtutgartit. Trajneri Jup Hejnkes i Bajernit u ka thënë "stop" festimeve dhe ka grumbulluar menjëherë ekipin, duke e vlerësuar në maksimum kundërshtarin, për të bërë "tris" këtë sezon. 
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)