Në 17 nëntor të vitit 2003, në momentin kur në një nga sallat e katit të tretë të gjykatës së rrethit të Tiranës do të niste seanca gjyqësore në ngarkim të të akuzuarit për vrasje Dritan Dajti, ky i fundit nxori një pistoletë dhe gjuajti disa herë në sallën e gjyqit. Me pas zbriti me shpejtësi shkallët e gjykatës për të qëlluar përsëri në oborrin e këtij institucioni, për t'u larguar me një motoçiklete ne drejtim te paditur.

Nga kjo arratisje spektakolare, Dritan Dajti ishte në listën e të shumëkërkuarëve të policisë shqiptare, e cila arriti së fundi të identifikojë vendndodhjen e tij, në një nga zonat e plazhit të Durrësit. Operacioni për kapjen e Dajtit do të organizohej sot pas mesdite, por me një bilanc tragjik, me vrasjen e 4 policëve dhe të dy civilëve. Dritan Dajti, rreth 39 vjeç, sipas deklarimeve të deritanishme të Policisë së Shtetit, ka hapur zjarr ndaj uniformave blu, ku nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur dhe vetë i plagosur. Ai është dërguar në spital nën masa të rrepta sigurie.



Dajti i akuzuar për vrasjen e një biznesmeni



Dritan Dajti ishte identifikuar nga policia si autor i vrasjes së pronarit të firmës "Besa Konstruksion", Agim Beqa, në vitin 1999, në afërsi të Stacionit të Trenit në Tiranë. Pas arrestimit të Dajtit, gjykata e rrethit të Tiranës nisi gjykimin ndaj tij në vitin 2003, ndërsa ai mbahej i izoluar në burgun 313 në kryeqytet. Seancat në ngarkim të Dritan Dajtit u zhvilluan normalisht deri në 17 nëntor të vitit 2003, kur ai do të mund të realizonte arratisjen spektakolare nga gjykata e rrethit të Tiranës, një ngjarje që në atë kohë tronditi opinionin publik dhe ngriti problemin e mungesës së sigurisë në institucionet e drejtësisë në vend. Nga hetimet në atë kohë, u deklarua se i pandehuri Dajti, ndërsa ndodhej në dhomën e izolimit para fillimit të seancës gjyqësore, i ka kërkuar policëve të rojes të largohet për disa çaste për nevoja personale në tualet. Por, pas shoqërimit të tij, ai ka dalë i armatosur dhe ka hapur zjarri për t'u larguar në drejtim te paditur.

Piro Lutaj, në atë kohë drejtor i Policisë së Burgjeve, ngarkoi me përgjegjësi direkte për këtë ngjarje togën e shoqërimit në gjykatë, që ishte në vartësi të Policisë së Shtetit. Pas arratisjes së Dritan Dajtit nga gjykata, toga e shoqërimit aktualisht është nën juridiksionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

"Ne merremi vetëm me verifikimin e dokumentacionit të personave që ndodhen të izoluar në ambientet e vuajtjes së dënimit dhe në dhomat e paraburgimit dhe kujdesemi për sigurinë e tyre", pohoi në atë kohë Lutaj, duke theksuar se rasti konkret, ai i largimit të te paraburgosurit Dritan Dajti nga ambientet e Gjykatës së Tiranës nuk ishte në përgjegjësinë e tyre.Sipas tij, kontrollet e bëra para nisjes së Dajtit për në gjykatë nga policët e burgut 313, rezultuan konform rregullave.



Dy policë të dënuar për arratisjen e Dajtit



Pas arratisjes së Dajtit nga mjediset e gjykatë së Tiranës, në komisariat u shoqëruan gjashtë policë të togës së shoqërimit, të cilët ishin të ngarkuar me detyrën e ruajtjes dhe sigurisë fizike të të pandehurit. Dy prej tyre, Besnik Muça dhe Halim Sula, u dënuan me nga 16 muaj burg nga gjykata e rrethit të Tiranës. Ata u dënuan në 28 qershor të vitit 2004 për akuzën e "shkeljes së rregullave të shërbimit, me pasojë arratisjen e një të pandehuri", akuzë e ngritur nga prokuroria ushtarake.

Një ditë pas dënimit të dy ish-policëve, në 29 qershor 2004, gjykata e rrethit të Tiranës dënoi në mungesë Dritan Dajtin. Ndaj tij rëndonin tre vepra penale, vrasje me paramendim të ish- biznesmenit të firmës "Besa Konstruksion", Agim Beqa, vjedhjen e një dyqani Eurolloto, si dhe armëmbajtje pa leje.