...dhe cili rezultat i pesë partive më të mëdha politike e hap derën për ngushëllime?

Nga Berat Buzhala

E kam një pyetje interesante, së cilës do të dëshiroja ti përgjigjeshin: Kryeministri Hashim Thaçi nga PDK, dikush prej LDK-së që e llogarit vetën si njeriun kryesor të partisë, çifti më i ri politik Behgjet Pacolli & Nexhat Daci, si dhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj.

Cili është ai rezultat i zgjedhjeve të 15 nëntorit që do të ndikonte tek ju, ose për ta hapur shampanjën, ose për ta çelur derën për ngushëllime?

Pra, të dashur liderë, cili është kufiri i epërm dhe ai i poshtëm i rezultatit të këtyre zgjedhjeve, me të cilin ju do të ishit apo nuk do të ishit të hareshëm? 
Ndoshta e teprova pak, por më lejoni vetëm edhe një pyetje, të cilës ju më me dëshirë nuk do ti përgjigjeshit kurrë: Cili është ai rezultat i mallkuar zgjedhor që do tju bënte të reflektonit për të dhënë dorëheqje? 

E di që ai rezultat nuk ekziston në mendjet tuaja, por pyeta retorikisht, sa për ta mbarështruar tekstin tim, në mënyrë që unë të provoj të tregoj në emrin tuaj, se çka është sukses për ju, çka është gjendje e pandryshuar dhe çka do të duhej të konsiderohej si gjendje katastrofale.

Po e nis këtë prej partisë më të madhe në vend, Partisë Demokratike të Kosovës. Ky subjekt në zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare kishte fituar çdo gjë që një subjekt politik mund të ëndërrojë për të fituar prej një palë zgjedhjesh. E kishte përmbysur dominimin disavjeçar të LDK-së, duke i përkthyer në emër të vetin rrafsh 17 komuna dhe duke fituar rrafsh 34 për qind të votuesve. Kjo ka qenë festë e madhe për të në vitin 2007, por mund të jetë ankth në vitin 2009. 

Një parti që është në pushtet në të gjitha nivelet, gati teorikisht e ka të pamundur që ta ruajë ketë rezultat kulmor. Pra, ky është kufiri i kësaj partie. Nëse PDK dhe Kryeministri Hashim Thaçi arrijnë ta ruajnë, në nivel vendi një përkrahje prej 34 për qind të votuesve, ky do të ishte mesazhi më domethënës për partinë më të madhe. Kjo do të tregonte se kosovarët janë të kënaqur me mënyrën se si po qeveris PDK. 

Por, çka ndodh e kjo mund të ndodhë teorikisht nëse PDK merr mbi 34 për qind të votave të qytetarëve, por e humb ndonjërën prej komunave? Në ketë rast, tregohet se qytetarët janë të kënaqur me qeverisjen në nivel qendror, por nuk kanë qenë të kënaqur me komunën e caktuar ku mund të humbë dikush prej garuesve të kësaj partie. Rezultat i pakëndshëm për ketë parti do të ishte nëse edhe humb komuna, e edhe bie nën 34 për qind të votave të përgjithshme. Në ketë variant, Kryetari i PDK-së do të vihej nën presion, prej forcave tjera politike, që eventualisht do ta rrisin numrin e tyre të votuesve.

Për Lidhjen Demokratike e Kosovës këto zgjedhje janë shansi i fundit. Kjo parti, që deri para disa kohësh fitonte të gjitha llojet e mundshme të zgjedhjeve të organizuara, ishte goditur rënd në vitin 2007. Kishte fituar vetëm 7 komuna, kurse kishte marrë vetëm 22 për qind të votave në nivel nacional. Për të mos qenë katastrofa e përmasave biblike, LDK-në e kishte shpëtuar Isa Mustafa, i cili e kishte fituar Prishtinën. 

Pra, Prishtina mbetet edhe më tutje fortifikata e fundit e kësaj partie. Për ti konsideruar zgjedhjet e suksesshme, LDK duhet ta ruajë pushtetin në Prishtinë, dhe të mos bjerë nën 20 për qind të votave në nivel vendi. Nëse eventualisht LDK arrin ta rikthejë ndonjë komunë që në vitin 2007 ia kishin marrë partitë tjera, atëherë kjo do të ishte shenja e parë që kjo parti po del prej recesionit. Por, nëse vazhdon me humbje të komunave tjera, Zoti na ruajt nëse e humb edhe Prishtinën, atëherë kjo parti lirisht mund ta shpallë falimentimin.

Ekipi që më pa komplekse, por jo edhe pa përgjegjësi, po i futet kësaj gare është ai Pacolli & Daci. Këta dy politikanë janë në mesin quintit të politikanëve më të rëndësishëm të vendit. Në zgjedhjet e fundit, për habinë e të gjithëve, kishin fituar shumë më shumë vota sesa pritej prej tyre. Por, fati nuk e kishte dashur që të triumfonin në asnjë komunë të vetme të Kosovës. 

Prej kësaj perspektive, ky është lajm goxha i mirë. Pacolli & Daci janë të vetmit liderë të partive të mëdha që gjatë gjithë fushatës e kanë mundësinë që të pështyjnë majtas e djathtas mbi pushtetet komunale, pa frikën e krahasimit me komunat e tyre. Sepse ata nuk kanë. Prandaj, sukses për këta dy liderë do të ishte që të fitojnë së paku një ose dy komuna, dhe supersukses do të ishte që si koalicion të dalin në vendin e dytë në nivel vendi. Nëse ndodh kështu, atëherë ata me jo pak arrogancë do të mund të kthenin kokën ngadalë kah ndërtesa e Qeverisë qendrore. Nëse në zgjedhjet e fundit janë ankuar se u janë vjedhur vota, sepse nuk kanë pasur vëzhgues, tash as ketë problem nuk e kanë më. Krejt çka u mbetet këtyre të dyve, është një fushatë e organizuar mirë.

E fundit, por jo për nga rëndësia, është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Pas gjyqit të Hagës, këto zgjedhje janë sfida më e rëndësishme për Ramush Haradinajn. Pritjet e tij janë më të mëdhatë. Dhjetë për qind e votave të marra në zgjedhjet e 2007 për të më nuk janë numër serioz. Tri komunat që i ka në menaxhim partia e tij, tashmë nuk janë aspak domethënëse. Pritjet tona për AAK i ka caktuar vetë Haradinaj dhe ne do ta gjykojmë suksesin e tij vetëm në bazë të fjalëve të tij. Prej krejt çka kemi dëgjuar deri më tash është se Z. Haradinaj kërkon të jetë partia e dytë më e madhe në vend, kërkon që të dyfishojë a trefishojë numrin e komunave të AAK-së. Nëse kjo ndodh, atëherë organizimi i zgjedhjeve të parakohshme nacionale do të ishte gjëja e parë që do të në shkonte ndërmend. Mirëpo, tash ekziston edhe një por e fuqishme që duhet ta them. 

Pra, por, nëse AAK nuk shënon rritje dominante, nuk renditet si partia e dytë në vend, nuk e rrit numrin e komunave, pa e paramenduar variantin e humbjes së ndonjë komune që sot e ka në administrim, atëherë pozicioni politik i këtij subjekti do të dridhej pariparueshëm. Krejt në fund, duhet të them se këto ishin vetëm disa kalkulime se kush çka humb e çka fiton prej këtyre zgjedhjeve. Por, për qytetarët e Kosovës fitore historike do të ishte nëse do të kenë mundësi të votojnë të lirë dhe që vota e tyre do të numërohej drejt. 

(*) Kryeredaktor, Express i Prishtinës