Duke folur në Daka të Bangladeshit, sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ka thënë se ndjehet shumë keq kur ballafaqohet me perceptimin se Shtetet e Bashkuara janë kundër Islamit.

“Është një perceptim i dhimbshëm dhe më vjen shumë keq që dikush e beson ose e propagandon atë”, ka thënë Clinton.

Ajo ka deklaruar se SHBA-ja ka udhëhequr luftë të “vetëmbrojtjes” kundër ekstremistëve, të cilët “kanë shtrembëruar mësimet e Islamit”.

Clinton po ashtu ka shprehur mbështetje për laureatin e Çmimit Nobel, Muhamed Junus, themelues të Bankës Grameen, e cila ofron kredi për të varfrit e Bangladeshit.